Zelensky: 31 mijë ushtarë ukrainas vdiqën në këtë luftë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se 31,000 ushtarë ukrainas vdiqën në luftë.

“31 mijë ushtarë ukrainas vdiqën në këtë luftë. Jo 300 mijë, jo 150 mijë… Putini gënjen për këto gjëra… Megjithatë, humbja për ne është e madhe”, tha Volodymyr Zelensky në një konferencë për shtyp në Kiev.

Ai shprehu besimin se Kongresi Amerikan do të miratojë një paketë të re të madhe ndihme për Ukrainën, duke përfshirë ndihmën ushtarake dhe financiare.

Udhëheqësi ukrainas theksoi se vendit të tij i duhet një vendim për këtë çështje brenda një muaji.

“Fitorja e Ukrainës në luftë varet nga ndihma e Perëndimit”, theksoi Zelensky.

Kjo është hera e parë që Ukraina raporton numrin e ushtarëve të vdekur.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se nuk mund të zbulojë numrin e ushtarëve ukrainas të plagosur, sepse “do të ndihmojë Rusinë në planifikimin ushtarak”.