Me investim prej 375 milionë eurove, Kërçova dhe Ohri do të lidhen me autostradë prej 57 kilometrave, që duhet të lehtësojë dhe përshpejtojë transportin e udhëtarëve dhe mallrave dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe turistik. Kjo u tha më 22 shkurt 2014, apo saktësisht 10 vite më parë. Në atë kohë kryeministër ishte Nikolla Gruevski dhe në pushtet ishte VMRO-DPMNE. Ka kaluar një dekadë, autostrada nuk ka përfunduar dhe investimi nuk është 375 milionë euro, por shumë më tepër. Pastaj Gruevski tha se ky është projekti më i madh infrastrukturor, por doli të ishte edhe më i gjatë.
Kryeministra, ministra, drejtorë u ndërruan dhe të gjitha afatet u shkelën. Tani, afat i ri nga Mickoski, i cili shpreson të jetë kryeministri i ri dhe partia e tij në pushtet.
“Duke analizuar gjendjen në të cilën ndodhet sot kjo pjesë rrugore, në të njëjtën kohë duke pasur një pamje të qartë se çfarë kemi si kapacitet ndërtimor, mund të dalim me një premtim, që do të jetë pjesë e programit të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, se i gjithë aksi do të përfundojë dhe do të lëshohet në përdorim në gjysmën e dytë ose do të thosha deri në fund të vitit 2026”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.
Por, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi thotë se ky është një shembull klasik i një projekti të keq. Megjithatë, ai shton se nuk ka kthim prapa, ndërsa 80% e trasesë ka përfunduar. Deri më tani, ndërtimi i kësaj autostrade ka kushtuar mbi 10 milionë euro për një kilometër. Problem tani janë rrëshqitjet e dheut, gjithsej 13, në trasenë.
“Nuk mund të themi se nuk ndërmarrim asgjë. Ne po marrim të gjitha masat e mundshme që ai projekt të përfundojë sa më shpejt. Prandaj ju thashë, nuk po e them unë si drejtor i NPRrSH-së, po e thonë ekspertët dhe po e thotë Enti shtetëror për revizion, se kur ke një projekt kaq të keq dhe kur hyn në realizimin e këtij projekti, ne nuk mund të tërhiqemi tani”, u shpreh Ejup Rustemi, drejtor i NPRRSh.
Por çfarë do të ndodhë me marrëveshjen me Behtel dhe Enka që e ka nënshkruar kjo qeveri, nëse VMRO-DPMNE vjen në pushtet, ndërsa ka të bëjë me ndërtimit të pjesëve të Korridorit 8 dhe Korridorit 10 D. Mickoski pretendon se kontrata do të kalojë 2 miliardë euro, por nuk do të prishet, por do të ulen me kompaninë për të rinegociuar.
‘Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do të ballafaqohet me sfidën se a duhet të paguajmë qindra miliona euro, ndoshta edhe miliarda, duke e prishur kontratën, sepse është konceptuar kështu, një jurist fillestar do t’ju këshillonte të mos ta lini fare, sepse nëse tërhiqeni, do të paguani qindra miliona euro dëm, ose le të ulemi, të flasim me kompaninë që duhet të ndërtojë këto pjesë të akseve të korridoreve 8 dhe 10 D dhe të gjejmë një kompromis të përbashkët, se si ta menaxhojmë kohën dhe projektin”, shtoi Mickoski.
Askush, përveç Qeverisë dhe kontraktorit të ndërtimit, nuk i di detajet e kontratës, as çmimet. Një gjë e tillë, sipas Ejup Rustemit, është krejtësisht normale dhe e ligjshme. Ai thotë se kontrata i është dërguar Prokurorisë për shqyrtim, dhe nëse ka elementë korrupsioni do të reagojnë.
“Kur flasim për kontratën me Behtel dhe Enka, thashë disa herë që kishim kontrata të ngjashme që i kemi nënshkruar sipas rregullave të Bankës Europiane dhe botërore. Ato kontrata nuk publikohen dhe ato kontrata nuk publikojnë çmimet dhe modelin, deri ku ka arritur çmimi. Për shkak se Prokuroria publike kishte hapur lëndë, ne e kemi dorëzuar atë marrëveshje në Prokurorinë Publike”, sqaroi Rustemi.
Rustemi thotë se nuk ka pengesa në komunikacion në korridoret 8 dhe 10 D, edhe pse e pranon se shpronësimi po shkon pak më ngadalë. Ai pret një ofensivë më të madhe ndërtimore në mars.