Mbrojtja më e mirë kundër çdo virusi
Sistemi imunitar i organizmit të njeriut është një rrjet kompleks i përbërë nga organe, qeliza dhe molekula të specializuara. Ai ka për detyrë të mbrojë trupin tonë nga çdo invazion dhe sëmundje, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, pa bërë asnjë pushim!
- Barrierat mbrojtëse. Këto përbëjnë vijën e parë të frontit mbrojtës të sistemit imunitar.
- Lëkura, që është organi më i madh i trupit të njeriut, me poret, djersën dhe elementët e saj ndalon hyrjen e trupave të huaj në organizmin tonë.
- Mukosa dhe qimet e vogla të rrugëve të frymëmarrjes, nga hunda e deri tek bronket, pengojnë hyrjen e mikroorganizmave dhe mikrotrupave të huaj në aparatin e frymëmarrjes. Reflekset e kollës dhe teshtimës katapultojnë mijëra viruse e bakterie jashtë trupit tonë.
- Enzimat e gojës dhe ato të lotëve të syve, të cilat njihen si lisozima, luftojnë mikroorganizmat.
- Acidi i stomakut vret pothuajse çdo bakterie të dëmshme. Muret e zorrëve dhe ato të rrugëve urinare janë një barrierë mjaft efikase kundër mikrobeve të ndryshme.
- Elementët qelizorë dhe antitrupat
- Qelizat e ndryshme mbrojtëse qarkullojnë nëpërmjet gjakut, sistemit vaskular dhe atij limfatik në çdo cep të trupit tonë. Granulocitet, makrofaget, limfocitet dhe qelizat vrasëse eleminojnë viruset, bakteriet dhe parasitët pa asnjë tolerim. Madje këto qeliza janë përgjegjëse edhe për pastrimin e trupit tonë nga qelizat e degjeneruara e të sëmura.
- Nga ana tjetër qindra mijëra antitrupa, të cilët janë proteina të specializuara, ngjiten me antigjenet dhe paralizojnë mikroorganizmat e huaj duke i ekspozuar këta të fundit tek qelizat vrasëse dhe makrofaget.
- Imuniteti psikologjik
- Sipas studimeve shkencore ( Dr. Robert Ader, USA) sistemi nervor qëndror bashkëvepron ngushtë me sistemin imunitar, duke kontrolluar mekanizmat e këtij të fundit. Për shembull, neuropeptidet kanë efekte tek shpejtësia dhe drejtimi i lëvizjes së qelizave mbrojtëse dhe makrofageve.
- Optimizmi, ndjenja e sigurisë, besimi në Zot dhe marrëdhëniet e ngushta shoqërore ndikojnë fuqishëm në aktivizimin dhe ripërtërirjen e imunitetit. Nga ana tjetër, stresi, depresioni dhe frika ndikojnë negativisht në këtë aspekt.
Prandaj, të jemi të bindur se shëndeti që na ka dhuruar Zoti, do ta përballojë pa asnjë problem të famshmin Covid 19.
Detyra jonë është të kultivojmë optimizëm, shpresë, besim dhe pozitivitet në shoqërinë tonë. Të rrimë larg lajmeve të rreme, larg teorive konspirative!
Ju uroj shëndet dhe imunitet!
Dr. Asllan Tahiraj