Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj të këtij viti fillon më 18 prill në ora 00:00 dhe do të zgjasë deri në orën 24:00 të datës 6 maj, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas orarit të miratuar nga KSHZ, fushata zgjedhore fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe në rrethin e parë dhe të dytë të votimit nuk duhet të zgjasë 24 orë para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve.
Rezultatet e anketave të opinionit publik lidhur me pjesëmarrësit në procesin zgjedhor publikohen jo më vonë se pesë ditë para ditës së caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve, jo më vonë se data 2 maj deri në orën 24:00.
Listat e kandidatëve për deputetë pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t’i dorëzojnë KSHZ-së më së voni deri më 2 prill, deri në ora 24:00, pra 35 ditë para ditës së zgjedhjeve.
KSHZ-ja do ta hedh shortin për të përcaktuar listën e kandidatëve për deputetë më së voni më 13 prill.
Kontrollimi i Listës Zgjedhore fillon më 28 shkurt dhe do të zgjasë deri më 18 mars në orën 24:00, deri në të cilën mund të dorëzohen kërkesat për regjistrim, shtim ose fshirje të të dhënave në Listën Zgjedhore.