Teoritë konspirative: Qasjet akademike ndaj fenomenit

Michael Butter, Peter Knight

Fragment i shkëputur nga Michael Butter dhe Peter Knight, “The History of Conspiracy Theory Research: A Review and Commentary”, në Conspiracy Theories and the People Who Believe Them (ed.) Joseph E. Uscinski (Oxford: Oxford University Press, 2018), 34-44

Sot ekzistojnë teori konspirative në të gjitha kulturat dhe shoqëritë. Ndërsa ekzistojnë pararendës të kësaj ideje në antikitet, ka prova që forma e tyre moderne u shfaq gjatë kalimit nga periudha e hershme moderne në iluminizëm[1]. Studimi akademik rreth teorisë së konspiracionit, përkundrazi, është një fenomen relativisht i ri. Ndërsa historianët herë pas here flisnin për temën, “teoria e konspiracionit” doli në pah si një kategori e identifikueshme e ligjërimit akademik duke nisur nga dekadat e para të shekullit të njëzet. Vetëm nga gjysma e dytë e shekullit të njëzet ideja e “teorisë së konspiracionit” u pa si një objekt shqetësimi akademik. Kjo sepse, përveç disa shembujve të izoluar, emërtimi “teori konspiracioni” nuk hyri në qarkullim të gjerë vetëm se në atë kohë[2].

Ky kapitull përshkruan historinë e kërkimit akademik mbi teoritë e konspiracionit në gjuhën angleze. Ne fillojmë me një rrëfim të studimeve të hershme të kryera në disiplina të ndryshme të cilat çuan në konceptimin e famshëm të Richard Hofstadter të teorizimit të komplotit si manifestim i një “stili paranojak” në vitet 1960 – një konceptim që në të njëjtën kohë ka frymëzuar dhe penguar kërkimet akademike për temën[3]. Më pas, vazhdojmë në mënyrë sistematike, në vend se në mënyrë kronologjike, duke lëvizur nga disiplinat që nuk e kanë kapërcyer plotësisht qasjen patologjike ndaj teorive të konspiracionit drejt atyre që kanë adoptuar qasje alternative. Në përputhje me rrethanat, pjesa e dytë i është kushtuar studimeve në psikologjinë sociale dhe shkencat politike. Studiuesit nga këto disiplina ndajnë kryesisht shqetësimin e Hofstadter për teoritë e komplotit, por ata kanë përdorur gjithnjë e më shumë metoda sasiore për të përcaktuar faktorët që i bëjnë njerëzit të besojnë në teoritë e komplotit ose të angazhohen në mendimin themelor të komplotit. Seksioni i tretë diskuton punën e filozofëve analitikë, të cilët kanë kërkuar të japin përkufizime më të sakta të termit dhe të bëjnë dallimin midis teorive të përligjura dhe atyre të pajustifikuara. Seksioni i fundit i kushtohet “kthesës kulturore” në hulumtimin e teorisë së konspiracionit, përkrahësit e së cilës kanë sfiduar qasjen mbizotëruese patologjike që nga fundi i viteve 1990. Kapitulli mbyllet me një vlerësim të gjendjes aktuale të debatit dhe jep disa rekomandime për hulumtime në të ardhmen.

Shfaqja e paradigmës patologjike: Nga fillimet deri te Richard Hofstadter (1930 – 1960)

Historia e hershme e hulumtimit të teorisë së konspiracionit është e lidhur me Katharina Thalmann, narrativa e së cilës, rreth teorisë së konspiracionit, ndërtohet dhe zgjeron punën e mëparshme nga Jack Bratich dhe Mark Fenster[4]. Sipas Thalmann, interesi akademik për fenomenin u shfaq gjatë viteve 1930 dhe 1940 nën ndikimin e dy luftërave botërore dhe ngritjes së totalitarizmit[5]. Tre fijet e ndryshme janë të dukshme në fazën fillestare. Psikologët politikë si Harold Lasswell dhe Theodor Adorno identifikuan llojet e personalitetit veçanërisht të prirur ndaj asaj që ata e konsideruan si praktika e paarsyeshme të teorizimit të komplotit, “agjitatori” tek Lasswell dhe “personaliteti autoritar” tek Adorno[6]. Ndërsa ata përqendroheshin kështu në tipare individuale dhe shkaqe psikologjike, sociologët Leo Loewenthal dhe Norbert Guterman e lidhën besimin në teoritë e konspiracionit me kompleksitetet e modernizmit dhe shfaqjen e shoqërive të masave[7]. Duke i paraprirë punës së studiuesve të studimeve kulturore pesëdhjetë vjet më vonë, në 1949 Loewenthal dhe Guterman e konsideruan “teorizimin e komplotit si një praktikë kulturore kuptimformuese që ia vlen të analizohet dhe studiohet.[8]”8

Sidoqoftë, as psikologët politikë dhe as sociologët nuk dolën me një etiketim për fenomenin që studionin. Kjo detyrë i ra Karl Popper-it, historian shkence, i cili e përshkroi në fund të viteve 1940 atë që ai e quajti teoria e komplotit të shoqërisë si një mënyrë krejtësisht e thjeshtë dhe, më e rëndësishmja, jo-shkencore për të kuptuar marrëdhëniet shoqërore, e cila ishte shfaqur si reagim dhe kundërshtim ndaj iluminizmit[9].

Megjithëse Popper e pranoi që vetë Marksi ishte treguar i kujdesshëm që të distancohej nga ato që më vonë do të quheshin teori konspirative, i ashtuquajturi Marksizmi Vulgar (por edhe format e tjera të të menduarit “totalitar” siç ishte nazizmi) ra në kurthin e atribuimit të kauzave historike komploteve, si p.sh. në komplotin e organizuar nga klasa në pushtet apo kapitali. Nëse, për Popperin, këto forma tejthjeshtëzuese të historicizmit kryen gabimin intelektual të atribuimit të agjencisë forcave impersonale, atëherë tendenca e kundërt, d.m.th. fajësimi i një komploti të qëllimshëm të individëve të fuqishëm që qendrojnë prapa skenave për çdo kthesë fatkeqe të ngjarjeve – ishte po aq fajtor për keqkuptimin se si funksionon historia. Popper-i këmbënguli se lloji i veprimeve të koordinuara në shkallë të gjerë, të imagjinuara nga teoricienët e komplotit, ishte i pamundur për shkak të pashmangshmërisë së pasojave të paqëllimshme në shoqëritë komplekse. Historia, për Popper-in, duhet të mendohet më mirë si produkt i një dore të padukshme (me termin Adam Smith) sesa e një dore të fshehur.

Ndërsa këta studiues kishin studuar kryesisht mënyrën se si teoritë konspirative shfaqeshin në Evropë, ngritja e McCarthyism gjatë viteve 1950 përqendroi vëmendjen e gjeneratës tjetër të studiuesve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Studiuesit si Edward Shils dhe Seymour Martin Lipset, dhe gjithashtu gazetarë si Richard Rovere, i konsideruan teoritë e komplotit si iracionale dhe jo-shkencore dhe shprehën shqetësim për efektet e tyre të dëmshme në politikën amerikane[10]. Kjo frikë u rrit më tej kur, gjatë viteve 1960, përkrahësit më të zëshëm të teorive të komplotit nuk ishin më përfaqësues të dy partive kryesore, pra qendra politike, por anëtarët e Shoqërisë John Birch[11]. Si rezultat i kësaj zhvendosjeje, historianët e konsensusit dhe shkencëtarë politikë pluralistë si John Bunzel, Seymour Martin Lipset, dhe Earl Raab filluan t‘i konsideronin teoritë e konspiracionit si simptoma ashtu si edhe artikulime të ekstremizmit[12].

Duke krijuar “një lidhje midis ekstremizmit antidemokratik, nga njëra anë, dhe teorive iracionale, jo-shkencore të komplotit, nga ana tjetër”, ata i shfaqin teoritë konspirative si në përgjithësi të rrezikshme për shoqëritë pluraliste dhe në veçanti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa njëkohësisht i zhvendosnin ato në skajet e shoqërisë[13]

Kjo mënyrë e të kuptuarit të teorive të konspiracionit kulmoi në konceptin e famshëm të Richard Hofstadter për “stilin paranojak”, i cili sintetizoi shumicën e ideve të paraqitura nga studiuesit e diskutuar deri më tani. Së pari, njëlloj si shumica e studiuesve të kohës, Hofstadter hodhi poshtë perspektivën sociologjike më neutrale të Loewenthal dhe Guterman dhe i paraqiti teoritë e komplotit si një fenomen i pakicave që kërcënonte konsensusin liberal-demokratik[14]. Së dyti, duke u mbështetur në konceptin e paranojës, Hofstadter, njëlloj si Lasswell dhe Adorno, e patologjizoi konspiracionin, edhe pse ai pretendoi se nuk po e bënte një gjë të tillë[15]. Më në fund, ngjashëm si Popperi, Hofstadter i konsideronte teoritë e komplotit si aspak shkencore[16].

Ndikimi i konceptimit të Hofstadter të teorisë së komplotit nuk mund të nënvlerësohet. Ndërsa nuk ishte ai që e krijoi termin teori konspirative (dhe me të vërtetë, ai e përdori rrallë shprehjen në fjalë), të kuptuarit e tij për fenomenin ndikoi në mënyrën se si pjesë të konsiderueshme të publikut, mediave dhe akademikëve në të gjithë botën e kanë konceptuar temën e teorive konspirative. Për shkak të Hofstadter, paranoja dhe teoria e konspiracionit kanë qenë thuajse të lidhura në mënyrë të pandashme. Kjo ka qenë e dobishme për hulumtimin e teorisë së komplotit, sepse u ka ofruar studiuesve në të gjithë disiplinat një paradigmë të lehtë për t’u kuptuar që mund të zbatohet në kontekste të ndryshme historike dhe kulturore dhe që vazhdon të jetë e rëndësishme në të tashmen, veçanërisht me fokusin e saj mbi lidhjen midis besimit në konspiracion dhe ankthit rreth statusit. Për më tepër, theksimi i Hofstadter në rëndësinë e “stilit” në teorizimin e komplotit ka ndihmuar në hapjen e rrugës jo vetëm për studime që përqendrohen në themelimin e të menduarit të konspiracionit si një “stil” i mendimit, por edhe për ato që përqendrohen në dimensionet estetike dhe narrative të teorive të konspiracionit, transmetimi i tyre retorik ose dramatizimet e tyre në filma dhe romane[17].

Në të njëjtën kohë, megjithatë, qasja e Hofstadter për teoritë e konspiracionit ka penguar hulumtimin sepse i patologjizon dhe i margjinalizon ato. Pasojat janë veçanërisht të dukshme në fushën e historisë, ku studiuesit shpesh kanë hasur në teori konspirative që nuk ishin qartësisht as fenomene të pakicave, as të artikuluara nga njerëz të cilët duhet të përshkruhen si paranojak[18]. Që nga teorizimi i Hofstadter-it për teorinë e komplotit (i vetmi në dispozicion për një kohë të gjatë) ishte e papërshtatshme për të kapur atë që vëzhguan këta studiues; shumica prej tyre ose nuk u referuan fare hulumtimeve teorike mbi çështjen në diskutimet e tyre për vizione specifike të komplotit, ose ata huazuan konceptin e Hofstadter për stilin paranojak, edhe pse implikimet e tij padyshim që kundërshtuan gjetjet e tyre. Për rrjedhojë, paçka kontributeve të tyre të vlefshme për akademizmin, angazhimi i këtyre studiuesve me fenomenin nuk ishte aq i nuancuar dhe prodhues sa do të kishte qenë nëse një teorizim më neutral i teorisë së konspiracionit do të kishte qenë në dispozicion.

Për më tepër, madje edhe studiuesit që refuzojnë ose të paktën modifikojnë premisat e Hofstadter-it shpesh nuk i shpëtojnë plotësisht konceptimit të tij të fuqishëm. Libri i Michael Pfau “The Political Style of Conspiracy: Chase, Sumner, and Lincoln” në mënyrë jo bindëse bën dallimin midis një stili paranojak të margjinës dhe një stili politik të qendrës në Amerikën e paraluftës, në mënyrë që të paraqesë teoritë e komplotit, ku ai përqendrohet, si një përjashtim nga rregulli[19]. Duke parë Amerikën e shekullit të tetëmbëdhjetë, Gordon Wood argumenton në mënyrë shumë më bindëse se teorizimi i konspiracionit ishte një veprimtari racionale që ishte rrënjosur në mënyrë të vendosur në rrymën kryesore shoqërore (mainstream) dhe ishte provë e një mendimi iluminist të sofistikuar, por më pas ai sugjeron që kjo ndryshoi në kapërcyell të shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke nënkuptuar që stili paranojak i Hofstadter përshkruan në mënyrë të duhur teoritë konspirative në shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzet[20]. Sidoqoftë, siç e ka thënë historiani Geoffrey Cubitt: “Thjesht, kjo zmbrapsje [që postulon Wood] tregon shumë pak shenja se ka ndodhur gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzet.[21]

Përjetësimi dhe Sfidimi i Paradigmës Patologjike: Hulumtime në Psikologji dhe Shkencë Politike (vitet 1990 e deri më sot)

Edhe pse, siç e kemi parë, ka lidhje të dukshme me psikologjinë dhe shkencën politike në hulumtimin e hershëm të teorisë së komplotit, të dy disiplinat fillimisht ishin të ngadalta për të hetuar temën. Një diskutim mbi arsyet e këtij angazhimi të vonuar është përtej qëllimit të këtij kapitulli. Mjafton të themi se për një kohë të gjatë studiuesit nga të dy disiplinat me shumë gjasë i konsideronin teoritë e konspiracionit si kuriozitete periferike që nuk meritonin një diskutim serioz. Për më tepër, në shkencat politike përqendrimi në partizani, ideologji dhe në cështje të pozicionimit gjatë viteve 1950 dhe 1960, dhe më vonë mbizotërimi i paradigmës së zgjedhjes racionale (e cila mendonte se mendimet ishin racionale në krahasim me thjesht social-psikologjike) ishte sigurisht një faktor, pasi teoritë e komplotit, të hedhura nga Hofstadter dhe shumica e paraardhësve të tij si joracionale dhe joshkencore, në të vërtetë nuk iu përshtatën asnjërës prej këtyre modeleve. Sidoqoftë, pasi studiuesit nga të dy disiplinat pranuan se fenomeni është i përhapur dhe ka pasoja potencialisht serioze, ata filluan të inkuadrohen në këtë çështje. Në psikologji një interes për teoritë e komplotit filloi të shfaqet në vitet 1990, ndërsa në shkencat politike interesi u shfaq më vonë. Teoritë e përhapura të komplotit rreth Barack Obama-s duket se kanë motivuar shumicën e kërkimeve në këtë fushë. Vitet e fundit, ka pasur një lulëzim të konsiderueshëm të studimeve empirike në të dyja disiplinat.

Pavarësisht nga njohja në rritje se teoritë e komplotit janë një fenomen mainstream, shumica e studimeve në psikologji deri më sot bashkëndajnë të paktën disa nga supozimet e Hofstadter, edhe pse ata rrallë i referohen atij në mënyrë specifike. Hulumtimi i hershëm psikologjik prirej të merrte si të mirëqenë që teoritë e komplotit besohen nga lloje të dallueshme të njerëzve me karakteristika të identifikueshme dhe të mangëta, dhe shumica e punës në këtë fushë beson se besimi në teoritë e konspiracionit është joracional[22]. Ted Goertzel, i cili ofroi një nga studimet e para dhe më me ndikim, duke përdorur të dhënat nga sondazhet, arriti edhe më pranë përfundimit të Hofstadter kur argumentoi se besimet në konspiracion janë “monologjike”, domethënë, ato shërbejnë si një botëkuptim i plotë, i tillë që njerëzit që besojnë në një teori konspirative, priren të besojnë në ato të gjitha[23]. Kjo ide mbahet akoma nga studimet më të fundit por është sfiduar edhe nga studiues të tjerë, të cilët konstatojnë se nganjëherë besimet në konspiracion janë të lidhra me tema specifike (topic-specific)[24]

Në përgjithësi, puna në psikologji është përpjekur të profilizojë ata që besojnë në konspiracion dhe të rendisë personalitetin dhe faktorët kognitivë të përfshirë në themel te mendimit komplotist. Atë që ndonjëherë quhet – në një frazë që ngjall një nivel të pajustifikuar të saktësisë diagnostikuese – “ideim i komplotit” (conspiracy ideation)[25]. Edhe një herë, duke ndjekur Hofstadter (megjithëse jo gjithmonë drejtpërdrejt), disa studiues kanë hetuar lidhjen e supozuar midis mendimit konspiracionist dhe formave të psikopatologjisë, por kanë arritur pak marrëveshje rreth rezultateve të hetimit. Psikologët e kanë lidhur mendimin e konspiracionit dhe besimin në teoritë specifike të komplotit me tiparet e një psikike të “dëmtuar” përfshirë paranojën, skizotipinë, mosbesimin, dyshimin, obsesionin me motive të fshehura, ndjeshmërinë e ngritur të kërcënimit, anominë, ndjenjat e tjetërsimit, cinizmin, pasigurinë, pafuqinë, ankthin dhe humbjen e perceptuar të kontrollit[26]. Edhe pse disa studiues kanë gjetur disa lidhje midis mendimit komplotist dhe elementeve të të ashtuquajturave ndryshime të personalitetit “Big Five” (p.sh., një lidhje negative me pajtueshmërinë, e lidhur me një dyshim të të tjerëve) dhe kanë sugjeruar ndryshimet individuale në “ideimin e konspiracionit” (conspiracy ideation) janë të qëndrueshme me kalimin e kohës, të tjerët kanë zbuluar se teoricieni i konspiracionit nuk ka një personalitet dallues dhe se faktorët rrethanorë janë të nevojshëm për të shkaktuar tiparet e personalitetit[27].

Për sa i përket metodologjisë, shumë studime psikologjike përdorin pyetësorë që rendisin të anketuarin në shkallët që matin mendimin e konspiracionit ose besimin në një varg teorish specifike të konspiracionit, dhe më pas provojnë variablat që mund të shoqërohen me nivele të larta ose të ulëta. Ka pasur një përhapje të shkallëve të ndryshme, të tilla si Inventari i Teorive Konspirative, Shkalla e Përgjithshme e Besimeve Konspiracioniste, dhe Shkalla e Mentalitetit Konspirativ, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje për një masë të vetme.[28] Edhe pse shumica e sondazheve matin besimin në teori konspirative të mirënjohura, disa studiues shpikin teori konspirative për të matur miratimin e tyre (nga subjektet nën eksperiment)[29]. Studiues të tjerë gjithashtu kanë filluar të lëvizin përtej sondazheve drejt manipulimit eksperimental të qëndrimeve, në kërkimin e tyre për të identifikuar variablat dhe mekanizmat e përfshirë në “ide të komplotit”. Ata zbulojnë, për shembull, se njerëzit që janë detyruar të provojnë një ndjenjë të pasigurisë emocionale ose një humbje të kontrollit ka më shumë të ngjarë të huazojnë interpretime konspirative të ngjarjeve[30]. Shumë studiues janë gjithnjë e më të shqetësuar me efektet e dëmshme sociale dhe politike të teorive të konspiracionit. Ata kanë gjetur, gjatë studimeve të tyre, që ekspozimi i thjeshtë ndaj teorive konspirative e bën më pak të mundshme, për shembull, që njerëzit të përpiqen të zvogëlojnë emetimin e gazrave serrë ose që të vaksinojnë fëmijët e tyre[31]. Të tjerët kanë kryer eksperimente për të treguar se besimi në teori potencialisht të dëmshme të konspiracionit mund të zvogëlohen nëse individi merr përsipër detyra që kërkojnë prej tij rritjen e mendimit analitik[32].

Krahasuar me sasinë e madhe të studimeve psikologjike që janë botuar që prej 2007, ka ende relativisht pak kërkime në shkencat politike, ku studiuesit tani mbështeten kryesisht në të dhënat e sondazhit për të zbuluar faktorët që nxisin besimin në teoritë e komplotit. Të gjitha studimet empirike kanë filluar të konvergjojnë në rezultatin se teorizimi i komplotit nuk është një fenomen periferik, por një formë argëtimi mjaft normale. Për shembull, rreth 60% e amerikanëve besojnë në teorinë konspirative të vrasjes së Presidentit Kenedi, 25% në teorinë se Barak Obama nuk ka lindur në Amerikë dhe 25% në teorinë konspirative rreth 11 shtatorit[33].

Sidoqoftë, studimet ndryshojnë në lidhje me shkaqet që studiuesit identifikojnë për besimin në teoritë konspirative. Mekanizmat shkakësorë të identifikuara variojnë nga problemet epistemologjike tek asimetritë politike deri në botëkuptime të ethshme. Cass Sunstein dhe Adrian Vermeule mendojnë se teoritë e konspiracionit janë rezultat i “epistemologjisë së gjymtuar”; dmth, ato lindin kur njerëzve ose u mungon informacioni ose nuk i përpunojnë si duhet[34]. Uscinski dhe Parent argumentojnë se në Shtetet e Bashkuara, “teoritë e komplotit janë për humbësit”, duke sugjeruar që ato lindin midis grupeve që ndjehen të kërcënuar, të pafuqishëm dhe të pasigurt, më shpesh si rezultat i të qenit në anën humbëse të përçarjes militante pas një zgjedhjeje[35]. Përkundrazi, Oliver dhe Wood i afrohen më shumë një shpjegimi psikologjik duke argumentuar se teoritë e komplotit janë shkaktuar nga predispozita për t’i atribuar agjensi makinacioneve të forcave të padukshme, dhe ta perceptojnë botën si një luftë manikease midis së mirës dhe së keqes[36]. Më në fund, Sunstein dhe Vermeule argumentojnë se teoritë e komplotit janë shumë më tepër çështje e së djathtës politike sesa e së majtës, ndërsa Uscinski dhe Prind, Oliver dhe Wood si dhe Miller, Saunders dhe Farhart e kundërshtojnë këtë pretendim[37]. Ata të gjithë pretendojnë, megjithatë, që bindjet politike dhe situatat përcaktojnë se cilat teori konspirative besohen nga individët.

Meqenëse të gjitha këto studime mendojnë se teoritë e komplotit janë një fenomen i përhapur në kulturën amerikane, ata të gjithë pak a shumë refuzojnë në mënyrë të shprehur korrelacionin midis teorive të komplotit dhe çrregullimeve të personalitetit që është aq i spikatur në psikologji. Për shkak se ata identifikojnë një shkak – dezinformimin – që, në teori, mund të korrigjohet. Sunstein dhe Vermeule reflektojnë hapur për shërimet e mundshme nga besimet konspiracioniste. Sidoqoftë, ata sugjerojnë që kur njerëzit kanë filluar të besojnë në një teori konspirative, është pothuajse e pamundur t’i bindësh për të kundërtën. Ky konstatim është vërtetuar kohët e fundit në studime të mëtejshme[38]. Uscinski dhe Parent, si dhe Oliver dhe Wood kryesisht përmbahen nga ofrimi i korigjimeve, kryesisht sepse gjetjet e tyre sugjerojnë se teoritë e konspiracionit janë një pjesë integrale e kulturës amerikane që nuk do të shuhet ndonjëherë. Megjithatë, ata janë ende kryesisht pesimistë për teoritë e komplotit. Kjo i dallon ata nga disa filozofë analitikë të diskutuar më poshtë.

Debati në filozofinë analitike mbi besimet e garantuara dhe të pajustifikuara të konspiracionit (mesi i viteve 1990 e deri më sot)

Charles Pigden hapi një rrugë të re debatesh në filozofinë analitike duke sfiduar supozimin themelor të Karl Popper-it se teoritë e konspiracionit janë domosdoshmërisht të gabuara[39]. Pigden, së bashku me kontributet pasuese nga David Coady dhe Lee Basham, insistuan që teoritë e konspiracionit nuk janë prima facie irracionale, jo të paktën sepse ekzistojnë shumë shembuj historikë të teorive të komplotit që gjerësisht mund të interpretohen si të suksesshme[40]. Në vend që të flakin tutje të gjitha teoritë e komplotit, studiuesit duhet t’i ekzaminojnë ato rast pas rasti për vlefshmërinë e tyre të mundshme. Ky argument është përsëritur kohët e fundit nga Matthew Dentith në monografinë më të plotë deri më tani në këtë fushë[41].

Në të kundërt, filozofë të tjerë si Brian Keeley, Jeffrey Bale dhe Juha Räikkä kanë kërkuar t‘i japin kuptim asaj që ata e shohin si intuitë të përbashkët se ekziston një dallim midis analizave të besueshme të komploteve politike dhe teorive të pajustifikuara të komplotit, ndonëse në praktikë kufijtë mes të dyve ndonjëherë nuk janë aq të prera[42]. Për Keeley, edhe nëse nuk ka (në modalitetin e Popper) një arsye a priori për të hedhur poshtë të gjitha teoritë e komplotit, megjithatë ekziston një rast prima facie për t‘i konsideruar teoritë konspirative të pajustifikura – ato, për shembull, të cilat janë janë bërë aq tejet të mëdha sa për të qenë e pamundur mos të zbulohen dhe hidhen poshtë – rezultat i të menduarit të gabuar. Steve Clarke, për shembull, duke parë psikologjinë sociale, identifikon “gabimin themelor atribuues” si një zëvëndës kryesor intelektual i teoricienëve të komplotit[43].

Megjithëse debati në filozofinë analitike ka tendencë të sillet rreth përkufizimit të teorisë së komplotit dhe çështjes së racionalitetit të tij, ajo shpesh ka injoruar faktin që vetë termi “teori konspirative” nuk është një etiketim neutral, objektiv por një anashkalim pezhorativ i një gjoja “epistemologjie të gjymtuar”[44]. Po kështu, edhe pse filozofët janë përpjekur të përcaktojnë justifikimin e qenësishëm të kësaj mënyre të shikimit të kauzalitetit historik dhe (në disa raste) për të identifikuar të metat intelektuale, ka pasur pak interes për të konsideruar në mënyrë sistematike rrethanat politike, sociale dhe kulturore që mund t’i bëjnë teoritë e konspiracionit më të përligjura në disa mjedise historike dhe gjeopolitike, sesa në të tjera. Në shumë prej këtyre eseve, përmenden të njëjtat shembuj të njohur të teorive të komplotit, dhe supozimi themelor është se fenomeni i teorisë së komplotit ka një logjikë të qëndrueshme, të identifikueshme, që është e vërtetë në të gjitha kohërat dhe vendet. Kjo thjesht nuk nxirret nga të dhënat historike ose studimet antropologjike se si funksionojnë teoritë e konspiracionit në kulturat e tjera. Debati gjithashtu është prirur të jetë i vetë-përmbajtur në disiplinën e filozofisë dhe rrallëherë angazhohet në mënyrë të qëndrueshme me diskutime mbi teoritë e komplotit në disiplina të tjera, ndërsa ato disiplina të tjera (sidomos psikologjia sociale) po ashtu nuk kanë arritur të marrin disa nga sfidat interesante të parashtruara nga debati për të bërë dallimin midis teorive të përligjura të konspiracionit (në kuptimin e torive të dëshmuara ose arsyetuara më mirë, por jo domosdoshmërisht të vërteta) dhe atyre të pajustifikuara.

Sfidimi i Paradigmës Patologjike: Historia Kulturore dhe Studimet Kulturore (Fund të viteve 1990 e deri më tani)

Që nga fundi i viteve 1990, një numër studimesh të rëndësishme kanë dalë nga fushat e historisë kulturore dhe studimeve kulturore. Të nxitura nga përhapja e diskutimeve me temë konspiracioniste në filmat amerikanë dhe shfaqjet televizive, në media, dhe në grupet e hershme të lajmeve në internet, këto vepra ose përqendrohen ekskluzivisht në periudhën bashkëkohore ose ngrenë një argument më të madh historik në mënyrë që të shpjegojnë rëndësinë e teorizimit të konspiracionit në të tashmen. Më konservatori nga këto studime është ai i Michael Barkun me titull “A Culture of Conspiracy: Apocalyptical Visions in Contemporary America[45]. I ndodhur në kryqëzimin e analizës historike dhe shkencës cilësore politike, ai vëren se teoritë e konspiracionit janë duke lëvizur nga periferitë drejt qendrës së kulturës amerikane. Megjithëse ai nuk e sfidon patologjizimin e teorisë së komplotit dhe madje riafirmon lidhjen që Hofstadteri i ka bërë teorive konspirative me paranojën, gjithsesi kjo e dallon studimin e tij nga ato të Robert Goldberg dhe Kathryn Olmsted, të cilët i qasen temës në mënyrë më neutrale[46]. Goldberg eksploron zhytjen e thellë të kulturës popullore në skenarët konspirative në dekadat e fundit dhe heton sesi teoritë e komplotit u lejojnë shumë njerëzve të kuptojnë botën në të cilën ata jetojnë. Olmsted argumenton se teoritë e komplotit amerikan kanë pësuar një zhvendosje të madhe në kohën e Luftës së Parë Botërore. Ndërsa versionet e mëparshme ishin përqendruar në kërcënime të jashtme për qeverinë federale, versionet e shekullit XX e shfaqin qeverinë si një entitet që komploton kundër popullit. Përqendrimi në cilësitë retorike dhe narrative të teorive të komplotit dhe refuzimi për të patologjizuar ithtarët e tyre — Olmsted në mënyrë të qartë i sheh teoritë e komplotit si “përgjigje të kuptueshme ndaj retorikës dhe veprimeve të qeverisë konspirative” – i radhit punimet e tyre në fushën e studimeve kulturore[47].

Vala e parë e punimeve në studimet kulturore përfshin punën e Jodi Dean, Mark Fenster, Timothy Melley dhe Peter Knight[48]. Pa iu referuar drejtpërdrejt atyre, këto studime i qasen temës së konspiracionit në traditën e Loewenthal dhe Guterman sepse ata refuzojnë të patologjizojnë teoricienët konspiracionistë. Përkundrazi, njësoj si ta, ata mendojnë se teoritë e komplotit janë tregues të anktheve dhe shqetësimeve më të mëdha. Ata gjithashtu pajtohen që teoritë e komplotit nuk janë më një fenomen periferik por u bënë pjesë e rrjedhës kryesore (mainstream) pas Luftës së Dytë Botërore.

Për Dean, teoritë e konspiracionit për rrëmbim nga jashtëtokësorët janë simptoma të mosbesimit tek politikanët dhe institucioneve që përshkojnë kulturën amerikane[49]. Në mënyrë të ngjashme, Melley i kupton teoritë e konspiracionit si një shprehje e “panikut të agjencisë”, një shqetësim për një humbje të autonomisë dhe sfidave të nocioneve tradicionale të identitetit në të tashmen[50]. Ai gjithashtu sqaron se imagjinata “paranojake” e organizatave dhe e sistemeve të gjera si komplote që kontrollojnë sjelljen individuale dhe kolektive, si në tekstet fiktive ashtu edhe ato faktike në Luftën e Ftohtë, ndajnë shumë supozime me vepra e teori sociale popullore nga ajo periudhë që po ashtu tregon për një ankth rreth ndikimit kontrollues të forcave shoqërore. Ashtu si Melley, sociologu Luc Boltanski në studimin e tij për trillimet detektive anglo-amerikane tërheq vëmendjen në ngjashmëritë potenciale konfuze midis “hermeneutikës së dyshimit” (në frazën e Ricoeur) që është në zemër të teorisë sociale më kritike dhe supozimit operativ të teorisë së konspiracionit se asgjë nuk është ashtu siç duket[51].

Ashtu si Melley dhe Dean, Knight gjithashtu pohon se në kushtet e postmodernitetit, teoritë e komplotit nuk pohojnë më thjesht identitete kolektive ose tenativa për t’i bërë disa grupe koka turku, por kryejnë një sërë funksionesh të tjera. Ata artikulojnë “dyshimin në rritje dhe pasigurinë” për fuqinë, identitetin dhe agjencinë[52]. Për më tepër, ai vëren se shumë amerikanë angazhohen me teori konspirative në mënyrë të vetëdijshme dhe ironike, duke i trajtuar ata “sikur” të ishin të vërteta, në vend se të besojnë plotësisht në to.

Në të kundërt, Fenster përqendrohet më shumë në mënyrat me të cilat teoritë e konspiracionit ndikojnë në politikën demokratike. Për të, teoritë e komplotit janë “element [jo] i domosdoshëm i ideologjisë populiste” dhe kështu ai parashtron një luftë midis njerëzve dhe atyre që janë në pushtet[53]. Ata keqinterpretojnë realitetet politike por duhet të merren seriozisht sepse ata nënkuptojnë krizat e demokracisë përfaqësuese. Ato nuk janë shmangie që kërcënojnë demokracinë nga kufijtë ekstremistë, por përbërës të qenësishëm të të gjitha shoqërive demokratike.

Kritika e patologjizimit që është qendrore për këto studime u mor në një mënyrë pak më ndryshe nga Jack Bratich. Ai argumenton se “teoria e komplotit” si një kategori ekziston vetëm për të zëvendësuar disa forma të njohurive të padëshiruara nga elitat ose publiku në përgjithësi. Ai me të drejtë tregon se ekzistojnë, madje edhe në të tashmen, shumë teori konspirative që i shpëtojnë këtij etiketimi siç është teoria e rreme e trilluar nga administrata e Bushit pas 11 shtatorit në lidhje me bashkëpunimin e al-Kaedës me Sadam Huseinin. Në përputhje me rrethanat, teoritë e konspiracionit përbëjnë një formë të njohurive të nënshtruara (në kuptimin Foucauldian) që hidhen poshtë nga ekspertët dhe elitat, por që kurrë nuk ka humbur “mirazhin e të qenit në linjë me arsyen”, i cili mund të shpjegojë pse sondazhet anonime të kryera nga shkencëtarët politikë zbulojnë se kaq shumë amerikanë besojnë në teoritë e komplotit[54]. Clare Birchall është gjithashtu e interesuar për statusin e teorive të komplotit si njohuri dhe, si Bratich, ajo huazon nga Foucault dhe sociologjia e dijes (sociology of knowledge) për të shpjeguar statusin e teorive të komplotit[55]. Ajo përshkruan teoritë e komplotit si një formë e njohurive popullore që qarkullon jashtë kanaleve zyrtare. Sidoqoftë, ndryshe nga Bratich, ajo sugjeron që dallimi midis formave të njohurive zyrtare dhe atyre të nënshtruara po gërryhet në të tashmen, kryesisht për shkak të ndikimit të internetit. Teoritë e komplotit në veçanti, argumenton ajo, janë bërë më të pranuara për shkak të 11 shtatorit[56]. Dhe, ashtu si Knight, ajo thekson mënyrën se si njerëzit përfshihen për argëtim në forma heterodokse të njohurive. Më në fund, statusi i teorive të komplotit si njohuri është gjithashtu në qendër të studimit të Michael Butter për vizionet konspirative nga shekujt e shtatëmbëdhjetë deri në atë të njëzet në kulturën amerikane. Sintetizimin e punës së bërë nga studiuesit e studimeve kulturore dhe gjetjet e historianëve të diskutuar në fund të pjesës së parë, ai sugjeron që teoritë e konspiracionit amerikan për një kohë të gjatë gjeneruan njohuri zyrtare, të cilat ndryshuan vetëm gjatë viteve 1960, pikërisht në momentin kur shqetësimet për teoritë konspirative arritën në rrjedhën kryesore me shkrimet e Hofstadter[57].

Përfundim: Planifikimi i një të ardhmeje ndërsdisiplinore dhe transnacionale

Siç tregon kjo përmbledhje, si vetë teoritë e konspiracionit, aktualisht hulumtimet rreth teorive të konspiracionit janë rritur tej mase. Më saktë, edhe nëse teoritë e komplotit nuk janë domosdoshmërisht më të përhapura se në të kaluarën, gjithsesi teoritë e konspiracionit si një problem shoqëror janë bërë të spikatura pjesërisht sepse si hulumtimi akademik ashtu edhe gazetaria popullore i kanë shndërruar ato në një objekt hetimi. Jemi kufizuar këtu në fushat që kanë prodhuar tashmë një gamë të konsiderueshme punimesh, dhe nuk kemi diskutuar kontributet gjithnjë e më të shumta nga studiuesit në disiplina që sapo kanë filluar të trajtojnë këtë çështje. Studimet e Lindjes së Mesme, për shembull, ku hulumtimi ishte penguar për një kohë të gjatë nga zbatimi i modelit patologjizues të Pipes, kohët e fundit ka prodhuar studime më të nuancuara[58]. Disiplina të tjera, siç janë studimet fetare ose etnologjia, gjithashtu kanë kontribuar të paktën në disa studime për të kuptuarin e teorisë së komplotit[59]. Për më tepër, ne kemi anashkaluar këtu edhe gamën e konsiderueshme të kërkimit akademik të botuar në gjuhë të tjera, përveç asaj angleze[60].

Sidoqoftë, siç ka bërë të qartë edhe konspekti jonë, disiplinat e ndryshme funksionojnë me konceptualizime shumë të ndryshme të teorisë së komplotit. Hulumtimi në psikologji dhe hulumtimi në studime kulturore, për shembull, i qasen temës nga mjedise pothuajse diametralisht të kundërta, dhe ka shumë pak dialog midis tyre. Supozimet themelore të secilës disiplinë janë në kundërshtim. Ndërsa psikologët janë të prirur të gjejnë prognoza universale dhe si edhe të kërkojnë për nxitësit e ideve komplotiste, përtej dallimit lokal, historianët e kulturës janë të brengosur të hulumtojnë mënyrat që ka funksionuar teoria e komplotit në mjedise specifike historike, politike dhe mediatike, duke argumentuar se edhe vetë koncepti i “teorisë së komplotit” si një fenomen përshkrues social dhe psikologjik ka historinë e vet që nuk mund thjesht të merret si e mirëqenë. Mbetet një pyetje e hapur nëse më shumë hulumtime në teoritë e komplotit në kultura, regjime dhe periudha të ndryshme do të prodhojnë një konvergjencë në një model të vetëm analitik, apo nëse do të zbulojnë vetëm kompleksitete dhe mospërputhje të mëtejshme.

Në të kundërt, studiues nga disiplina sasiore si psikologjia dhe shkenca politike e shohin si zhgënjyese ngushtësinë e bazës së provave në studime kulturore dhe historike, edhe nëse i konsiderojnë intriguese hipotezat e ofruara nga studimet në këto fusha. Në prezantimet e tyre, studiuesit në të dy kampet ndonjëherë tregojnë për punën e kryer në fushën tjetër, por rrallëherë merren seriozisht me të. Kështu, nuk ka një dialog ndërdisiplinor për gjetjet kontradiktore dhe metodologjitë e ndryshme. Për më tepër, edhe ata që merren me gjetjet e disiplinave të ndryshme zakonisht janë të vetëdijshëm vetëm për punën e botuar në dy ose tre gjuhë që dinë. Për shkak të këndvështrimeve të ngushta të studiuesve të veçantë, studimet për teorinë e komplotit janë fragmentuar dhe ende nuk kanë qenë në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve të ndryshme gjithëpërfshirëse dhe të sigurojnë krahasime kuptimplote midis studimeve të rastit. Progresi i madh i bërë gjatë dy viteve të fundit në këtë mënyrë është në rrezik të ngecë në vend, pasi studiuesit kanë tendencë të rikrijojnë çdo herë rrotën nga e para në vend që të avancojnë vërtet njohurinë.

Megjithatë, ndërsa një dekadë më parë kishte një mungesë të vërtetë të ndonjë studimi të hollësishëm, tani ka një bazë të mjaftueshme për ta shtyrë studimin e teorisë së konspiracionit një hap më tej. Hulumtimi në të gjitha disiplinat ka arritur në një masë kritike që tani i bën projektet kërkimore ndërsdisiplinore dhe transnacionale si të realizueshme dhe të dëshirueshme. Megjithatë, projekte të tilla do të kërkojnë hapje intelektuale nga praktikuesit e tyre. Studiuesit duhet të jenë të gatshëm të angazhohen seriozisht me kolegë që i qasen temës nga këndvështrime shumë të ndryshme dhe me supozime ndonjëherë diametralisht të kundërta. Me fjalë të tjera, ata duhet të tregojnë saktësisht hapjen ndaj ideve të kundërta për të cilat mendohet se i mungojnë teoricienëve të teorive konspiracioniste.

Përktheu: Rezart Beka

[1] Popper, Karl R. 2002. Conjectures and Refutations: The Growth of Scientific Knowledge. New York: Routledge; Wood, Gordon S. 1982. “Conspiracy and the Paranoid Style: Causality and Deceit in the Eighteenth Century.” William and Mary Quarterly 39(3): 402–441; Zwierlein, Cornel, and Beatrice de Graaf. 2013. “Security and Conspiracy in Modern History.” Historical Social Research/ Historische Sozialforschung 38(1): 7–45; Pagán, Victoria E. 2012. Conspiracy Theory in Latin Literature. Austin: University of Texas Press; Roisman, Joseph. 2006. The Rhetoric of Conspiracy in Ancient Athens. Berkeley: University of California Press.

[2] Cochin, Augustin. 1909. La Crise de l’Histoire Révolutionnaire: Taine et M. Aulard. Paris: Honoré Champion; Stauffer, Vernon. 1918. New England and the Bavarian Illuminati. Diss. New York: Columbia University Press; McKenzie- McHarg, Andrew. 2018. The Hidden History of Conspiracy Theory. Princeton: Princeton University Press.

[3] Hofstadter, Richard. 1995. The Paranoid Style in American Politics and Other Essays. Cambridge: Harvard University Press.

[4] Thalmann, Katharina. 2014. “‘John Birch Blues’: The Problematization of Conspiracy Theory in the Early Cold-War Era.” COPAS 15(1). https://copas.uni- regensburg.de/article/view/182 (Accessed December 18, 2017); Bratich, Jack Z. 2008. Conspiracy Panics: Political Rationality and Popular Culture. Albany: State University of New York Press; Fenster, Mark. 2008. Conspiracy Theories: Secrecy and Power in American Culture. Rev. ed. Minneapolis: University of Minnesota Press.

[5] Thalmann, “ ‘John Birch Blues,’ ” 6.

[6] Lasswell, Harold D. 1986. Psychopathology and Politics. Chicago: University of Chicago Press, 78; Adorno, Theodor W., Else Frenkel-Brunswik, Daniel J. Levinson, and R. Nevitt Sanford. 1950. The Authoritarian Personality: Part Two. New York: Wiley, 611.

[7] Loewenthal, Leo and Norbert. Gutermann. 1949. Prophets of Deceit: A Study of the Techniques of the American Agitator. New York: Harper.

[8] Thalmann, “ ‘John Birch Blues,’ ” 7.

[9] Popper, Conjectures and Refutations, 94. Formati italic është në origjinal.

[10] Shils, Edward. 1956. The Torment of Secrecy: The Background and Consequences of American Security Politics. New York: Free Press; Lipset, Seymour Martin. 1955. “The Sources of the Radical Right.” In The New American Right, ed. Daniel Bell. New York: Criterion; Rovere, Richard H. 1959. Senator Joe McCarthy. New York: Harper Colophon.

[11] Thalmann, “ ‘John Birch Blues,’ ” 11.

[12] Bunzel, John H. 1967. Anti-Politics in America: Reflections on the Anti- Political Temper and Its Distortions of the Democratic Process. New York: Knopf; Lipset, Seymour Martin, and Earl Raab. 1970. The Politics of Unreason: Right- Wing Extremism in America, 1790–1970. New York: Harper.

[13] Thalmann, “ ‘John Birch Blues,’ ” 11.

[14] Hofstadter, The Paranoid Style, 7, 39.

[15] Bratich, Conspiracy Panics, 31–32.

[16] Hofstadter, The Paranoid Style, 36–37.

[17] Fenster, Conspiracy Theories, 36.

[18] Bailyn, Bernarnd. 1967. “Foreword.” In The Ideological Origins of the American Revolution. Cambridge: Belknap; Davis, David Brion. 1970. The Slave Power Conspiracy and the Paranoid Style. Baton Rouge: Louisiana State University Press; Boyer, Paul, and Stephen Nissenbaum. 1974. Salem Possessed: The Social Origins of Witchcraft. Cambridge: Harvard University Press; Schwartz, Barry. 1987. George Washington: The Making of an American Symbol. New York: Free Press; Foner, Eric. 1995. Free Soil, Free Labor, Free Men: The Ideology of the Republican Party before the Civil War. New York: Oxford University Press.

[19] Pfau, Michael. 2005. The Political Style of Conspiracy: Chase, Sumner, and Lincoln. East Lansing: Michigan State University Press.

[20] Wood, “Conspiracy and the Paranoid Style.”

[21] Cubitt, Geoffrey. 1989. “Conspiracy Myths and Conspiracy Theories.” Journal of the Anthropological Society of Oxford 20(1): 18.

[22] Wood, Michael J., Karen M. Douglas, and Robbie M. Sutton. 2012. “Dead and Alive: Beliefs in Contradictory Conspiracy Theories.” Social Psychological and Personality Science 3(6): 767–773.

[23] Goertzel, Ted. 1994. “Belief in Conspiracy Theories.” Political Psychology 15(4): 731–742.

[24] Swami, Virna, Tomas Chamorro-Pemuzic, and Adrian Furnham. 2010. “Unanswered Questions: A Preliminary Investigation of Personality and Individual Difference Predictors of 9/11 Conspiracist Beliefs.” Applied Cognitive Psychology 24(6): 749–761; Sutton, Robbie M., and Karen M. Douglas. 2014. “Examining the Monological Nature of Conspiracy Theories.” In Power, Politics, and Paranoia. eds. Jan-Willem van Prooijen and Paul A. M. van Lange. Cambridge: Cambridge University Press.

[25] Lewandowsky, Stephan, Gilles E. Gignac, and Klaus Oberauer. 2013. “The Role of Conspiracist Ideation and Worldviews in Predicting Rejection of Science.” PloS ONE 8(10). https://doi.org/10.1371/journal.pone.0075637 (Accessed December 18, 2017).

[26] Darwin, Hannah, Nick Neave, and Joni Holmes. 2011. “Belief in Conspiracy Theories: The Role of Paranormal Beliefs, Paranoid Ideation and Schizotypy.” Personal and Individual Differences 50(8): 1289–1293; Baron, David, Kevin Morgan, Tony Towell, Boris Altemeyer, and Viren Swami. 2014. “Associations between Schizotypy and Belief in Conspiracist Ideation.” Personality and Individual Differences 70(November): 156–159; Abakalina-Paap, Marina, Walter G. Stephan, Traci Craig, and W. Larry Gregory. 1999. “Beliefs in Conspiracies.” Political Psychology 20(3): 637–647; Goertzel, “Belief in Conspiracy Theories”; Swami, Chamorro-Pemuzic, and Furnham, “Unanswered Questions”; Grzesiak- Feldman, Monika. 2013. “The Effect of High-Anxiety Situations on Conspiracy Thinking.” Current Psychology 32(1): 100–118; Jolley, Daniel. 2013. “Are Conspiracy Theories Just Harmless Fun?” The Psychologist 26(1): 60–62.

[27] Swami, Chamorro-Pemuzic, and Furnham, “Unanswered Questions”; Imhoff, Roland, and Martin Bruder. 2014. “Speaking Truth to (Un)Power: Conspiracy Mentality as a Generalised Political Attitude.” European Journal of Personality 28(1): 25–43; Brotherton, Robert, Christopher C. French, and Alan D. Pickering. 2013. “Measuring Belief in Conspiracy Theories: The Generic Conspiracist Beliefs Scale.” Frontiers in Psychology 4 (May). https://doi.org/ 10.3389/fpsyg.2013.00279 (Accessed December 18, 2017).

[28] Swami, Viren, Martin Voracek, Stefan Stieger, Ulrich S. Tran, and Adrian Furnham. 2014. “Analytical Thinking Reduces Belief in Conspiracy Theories.” Cognition 133.3(3): 572–585; Brotherton, French, and Pickering, “Measuring Belief in Conspiracy Theories”; Imhoff and Bruder, “Speaking Truth to (Un)Power.”

[29] Leman, Patrick J., and Marco Cinnirella. 2013. “Beliefs in Conspiracy Theories and the Need for Cognitive Closure.” Frontiers in Psychology 4(June). https://doi.org/10.3389/fpsyg.2013.00378 (Accessed December 18, 2017).

[30] Whitson, Jennifer A., Adam D. Galinsky, and A. Kay. 2015. “The Emotional Roots of Conspiratorial Perceptions, System Justification, and the Belief in the Paranormal.” Journal of Experimental Social Psychology 56(January): 89–95.

[31] Jolley, Daniel, and Karen M. Douglas. 2014. “The Effects of Anti-Vaccine Conspiracy Theories on Vaccination Intentions.” PLoS ONE 9(2). https://doi.org/ 10.1371/journal.pone.0089177 (Accessed December 18, 2017); Jolley, Daniel, and Karen M. Douglas. 2014. “The Social Consequences of Conspiracism: Exposure to Conspiracy Theories Decrease Intentions to Engage in Politics and to Reduce One’s Carbon Footprint.” British Journal of Psychology 105(1): 35–56.

[32] Swami, Voracek, Stieger, Tran, and Furnham, “Analytical Thinking Reduces Belief in Conspiracy Theories.”

[33] Oliver, J. Eric, and Thomas J. Wood. 2014. “Conspiracy Theories and the Paranoid Style(s) of Mass Opinion.” American Journal of Political Science 58(4): 952–966; Sunstein, Cass R., and Adrian Vermeule. 2009. “Conspiracy Theories: Causes and Cures.” Journal of Political Philosophy 17(2): 202–227; Uscinski, Joseph E., and Joseph M. Parent. 2014. American Conspiracy Theories. Oxford: Oxford University Press.

[34] Sunstein and Vermeule, “Conspiracy Theories: Causes and Cures,” 211.

[35] Uscinski and Parent, American Conspiracy Theories, 130.

[36] Oliver and Wood, “Conspiracy Theories and the Paranoid Style(s) of Mass Opinion,” 953.

[37] Miller, Joanne M., Kyle L. Saunders, and Christina E. Farhart. 2015. “Conspiracy Endorsement as Motivated Reasoning: The Moderating Roles of Political Knowledge and Trust.” American Journal of Political Science 60(4): 824– 844.

[38] Nyhan, Brendan, Jason Reifler, and Peter A. Ubel. 2013. “The Hazards of Correcting Myths about Health Care Reform.” Medical Care 51(2):127–132; Nyhan, Brendan, and Jason Reifler. 2015. “Does Correcting Myths about the Flu Vaccine Work? An Experimental Evaluation of the Effects of Corrective Information.” Vaccine 33(3): 459–464.

[39] Pigden, Charles. 1995. “Popper Revisited, or What is Wrong with Conspiracy Theories?” Philosophy of the Social Sciences 25(1): 3–34.

[40] Ibid.; Coady, David. 2013. “Conspiracy Theories and Official Stories.” International Journal of Applied Philosophy 17(2): 197–209; Basham, Lee. 2003. “Malevolent Global Conspiracy.” Journal of Social Philosophy 34(1): 91–103.

[41] Dentith, Matthew R.X. 2014. The Philosophy of Conspiracy Theories. New York: Palgrave Macmillan.

[42] Keeley, Brian L. 1999. “Of Conspiracy Theories.” The Journal of Philosophy 96(3): 109–126; Bale, Jeffrey M. 2017. “Political Paranoia vs. Political Realism: On Distinguishing between Bogus Conspiracy Theories and Genuine Conspiratorial Politics.” Patterns of Prejudice 41(1): 45–60; Räikkä, Juha. 2009. “On Political Conspiracy Theories.” Journal of Political Philosophy 17(2): 185– 201.

[43] Clarke, Steve. 2002. “Conspiracy Theories and Conspiracy Theorizing.” Philosophy of the Social Sciences 32(3): 131–150.

[44] Husting, Ginna and Martin Orr. 2007. “Dangerous Machinery: ‘Conspiracy Theorist’ as a Transpersonal Strategy of Exclusion.” Symbolic Interaction 30(2): 127–150.

[45] Barkun, Michael. A 2003. Culture of Conspiracy: Apocalyptical Visions in Contemporary America. Berkeley: University of California Press.

[46] Goldberg, Robert Alan. 2001. Enemies Within: The Culture of Conspiracy in Modern America. New Haven: Yale University Press; Olmsted, Kathryn S. 2009. Real Enemies: Conspiracy Theories and American Democracy, World War I to 9/11. Oxford: Oxford University Press.

[47] Ibid., 11.

[48] Dean, Jodi. 1998. Aliens in America: Conspiracy Cultures from Outerspace to Cyberspace. Ithaca: Cornell University Press; Fenster, Conspiracy Theories; Melley, Timothy. 2000. Empire of Conspiracy: The Culture of Paranoia in Postwar America. Ithaca: Cornell University Press; Knight, Peter. 2000. Conspiracy Culture: From Kennedy to the X-Files. London: Routledge.

[49] Dean, Aliens in America, 17.

[50] Melley, Empire of Conspiracy, 7.

[51] Boltanski, Luc. 2014. Mysteries and Conspiracies: Detective Stories, Spy Novels and the Making of Modern Societies. Trans. C. Potter. Cambridge: Polity Press.

[52] Knight, Conspiracy Culture, 10.

[53] Fenster, Conspiracy Theories, 84.

[54] Bratich, Conspiracy Panics, 7.

[55] Birchall, Clare. 2006. Knowledge Goes Pop: From Conspiracy Theory to Gossip. Oxford: Berg.

[56] Ibid., 33.

[57] Butter, Michael. 2014. Plots, Designs, and Schemes: American Conspiracy Theories from the Puritans to the Present. Berlin/Boston: de Gruyter.

[58] Pipes, Daniel. 1996. The Hidden Hand: Middle East Fears of Conspiracy. Basingstoke: Macmillan; Gray, Matt C. 2010. Conspiracy Theories in the Arab World: Sources and Politics. London: Routledge; Butter, Michael, and Maurus Reinkowski, eds. 2014. Conspiracy Theories in the United States and the Middle East: A Comparative Approach. Berlin/Boston: de Gruyter.

[59] West, Harry G. and Todd Sanders, eds. 2003. Transparency and Conspiracy: Ethnographies of Suspicion in the New World Order. Durham: Duke University Press; Dyrendal, Asbjorn. 2015. “Confluence of Spirituality and Conspiracy Theory?” Journal of Contemporary Religion 30(3): 367–382.

Bbbnbv[60] Taguieff, Pierre-André. 2005. La Foire aux illumines. Ésotérisme, théorie du complot, extrémisme. Paris: Mille et une nuits; Klausnitzer, Ralf. 2007. Poesie und Konspiration: Beziehungssinn und Zeichenökonomie von Verschwörungsszenarien in Publizistik, Literatur und Wissenschaft 1750–1850. Berlin: de Gruyter; Blanusa, Nebojsa. 2011. Teorije zavjera I hrvatska politicka zbilja 1980–2007. Zagreb: Plejada.

http://erasmusi.org/teorite-konspirative-qasjet-akademike-ndaj-fenomenit/