Zëvendëskryeministri për Çështjet Europiane, Bojan Mariçiq, ka përfaqësuar Maqedoninë e Veriut, duke shkëmbyer pikëpamjet dhe strategjitë e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ka marrë pjesë në një panel diskutimi me temën “Marrëdhëniet BE-SHBA: Ndërtimi i Sigurisë Kolektive në një Botë në Ndryshim”.
Në diskutimin e konferencës, Mariçiq ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në mbështetje të Ballkanit Perëndimor, duke përcaktuar tri parime kryesore. Për më tepër ai ka veçuar dialogun strategjik me SHBA-në dhe masat kufizuese të tyre për të sanksionuar politikanët e korruptuar, ka njoftuar Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut
“Rëndësia e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në mbështetje të Ballkanit Perëndimor ka tri parime kryesore: agjendë të qartë, mbështetje të fortë dhe prani të vazhdueshme. Dialogu strategjik me SHBA-në dhe masat kufizuese të tyre për të sanksionuar politikanët e korruptuar, janë një hap i rëndësishëm drejt reformave dhe integritetit në rrugën drejt BE-së”.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Mariçiq ka theksuar rëndësinë e partneritetit transatlantik dhe bashkëpunimit me politikanët amerikanë në luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e vlerave demokratike. Për të përforcuar bashkëpunimin rajonal, sipas tij, Maqedonia e Veriut angazhohet në dialog dhe vizita të rregullta, duke krijuar partneritete të forta brenda Ballkanit Perëndimor dhe me aleatët e NATO-s.
Në këtë panel të diskutimit morën pjesë edhe personalitete të rëndësishme, si Ambasadoreja Europiane në SHBA, Jovita Neliupsiene, dhe themeluesi i Abrot Group, Christopher Smart. Diskutimi u moderua nga Jeremy Shapiro, Drejtor i Kërkimeve në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. Temat e diskutuara përfshinin situatën gjeopolitike në Europë dhe nevojën për të krijuar një të ardhme të sigurtë dhe stabile në rajon.