Reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit në qytetin e Gazës kanë rënduar edhe më shumë jetën e personave të zhvendosur, të cilët strehohen në kampe të improvizuara.
Ata thonë se nuk kanë as kushte elementare për jetë. Mungon energjia elektrike, uji ndërsa nuk kanë as mjaftueshëm ushqime për fëmijët e tyre.
“Nuk kemi batanije, mungojnë edhe veshmbathjet. Shiu na ka shkatërruar, është e pamundur ti mbajnë rrobat tona të thata. Nuk e di çfarë të them. Nuk kemi shtretër, nuk kemi ngrohje, madje nuk kemi mjaftueshëm ushqime për fëmijët tanë. Nuk ka qumësht për këtë fëmijë. Fëmija është 1 vit e gjysmë, ndërsa nuk ka çorape apo këpucë për të. Kjo luftë na shkatërroi”, u shpreh një persona i zhvendosur.
“Kushtet tona janë shumë të rënda. Në kohën kur reshjet e shiut nuk ndalen jetojmë në tenda të zhytura në ujë, nuk kemi energji elektrike. Nuk ka ushqime ose ujë”, tha një tjetër person i zhvendosur.
“Kushtet janë të rënda për ne. Siç po e shihni shtëpitë tona janë bërë nga plastika dhe tendat. Nuk mund t’i përballojnë stuhisë. Shiu na ka përmbytur, situata jonë është e rëndë. Nuk kemi as batanije e as veshmbathje për fëmijët tanë”, u shpreh një person i zhvendosur.
Lufta e fundit Izrael-Hamas ka rrafshuar pjesë të mëdha të enklavës së vogël bregdetare, ka zhvendosur 85% të popullsisë së saj dhe ka shtyrë një të katërtën e banorëve drejt urisë. Lufta filloi kur qindra militantë të udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë. Mbi 100 u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor në këmbim të 240 palestinezëve të burgosur nga Izraeli. Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 26,700 njerëz në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi.