Bytyqi-Borisovas: Maqedonia e Veriut dhe Lituania duhet të hapin një epokë të re në marrëdhëniet ekonomike

Zv. kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi ka takuar sot Eduardas Borisovas, ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Lituanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Zagreb, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë së RMV-së.

“Ambasadori i sapoemëruar Borisovas e informoi Bytyqi për rrugën e integrimit evropian të Lituanisë dhe përvojën e saj pozitive me këtë proces, para së gjithash në fushën e ekonomisë, e cila nga bashkëbiseduesit u vlerësua si një përvojë që mund të përdoret gjithashtu edhe për proceset integruese evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Në takim u theksua nga të dyja palët se marrëdhëniet e shkëlqyera politike ndërmjet Lituanisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të jenë bazë për hapjen e një epoke të re në marrëdhëniet ndërmjet vendeve në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike, avancimit të shkëmbimit tregtar dhe rritjes së besimit mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Energjia, me theks të veçantë në kalimin në burimet e rinovueshme të energjisë, teknologjitë inovative dhe industria e TIK-ut, shtojnë nga atje, u vlerësuan si sektorë në të cilët ka mundësi të mira dhe reale për thellimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.