“Blini dërgesa të humbura për vetëm 123 denarë”, mashtrimi i radhës me emrin e Postës së Maqedonisë

Në rrjetin social Facebook është shfaqur një faqe e re e rreme “Posta Maqedoni”, nëpërmjet së cilës në mënyrë të rreme qytetarëve u ofrohet të blejnë produkte të shtrenjta të humbura, për çmimin e 123 denarëve.

Nga NP “Posta e Maqedonisë” për A1on, thonë se bëhet fjalë për mashtrim, gjegjësisht faqe të rrejshme në Facebook.

“Ofertë speciale nga Posta e Maqedonisë! Blini kuti të humbura me produkte të ndryshme për vetëm 123 denarë maqedonas. Merrni vetes një sasi të madhe produktesh të larmishme me një çmim modest! Çdo kuti është një sekret i vërtetë, të cilin mund ta zbuloni tani. Nxitoni, vëllimi është i kufizuar! Klikoni linkun për më shumë informacion dhe për të bërë porosinë tuaj”, thuhet në postimin në faqe, të cilin e kanë ndjekur pesëdhjetë qytetarë.

Kjo është përpjekja e dytë e mashtrimit të qytetarëve duke përdorur kompaninë shtetërore, pasi nga fillimi i vitit 2024, një faqe e rreme e Postës kërkonte që qytetarët që kanë porositur produkte të ndryshme të paguanin detyrimin doganor.

Më 5 janar, NP “Posta e Maqedonisë” paralajmëroi publikisht për “informacione të rreme dhe keqpërdorim të emrit të Postës së Maqedonisë së Veriut” duke theksuar se “qytetarët marrin mesazhe në telefon me përmbajtje të pavërtetë”.

Një grup i caktuar qytetarësh kanë marrë SMS mesazhe false dhe disa prej tyre janë bërë viktima pasi kanë dhënë detaje bankare në faqen e rreme, pas së cilës u janë marrë paratë.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi edhe përmes mediave se po merr masa për zbardhjen e rastit, duke u bërë apel qytetarëve që të mos bien në mashtrime të tilla dhe të mos dërgojnë të dhënat e tyre personale përmes internetit.

Përveç Postës së Maqedonisë, edhe emri i disa kompanive tjera në RMV është shfrytëzuar për të mashtruar qytetarët.