Forcat izraelite zhvilluan luftime të ashpra të mërkurën pranë spitalit kryesor të qytetit të dytë më të madh të Gazës. Mjekët thonë se qindra pacientë dhe mijëra të zhvendosur janë bllokuar nga luftimet.
Izraeli i ka urdhëruar banorët që të largohen nga qendra e qytetit Khan Younis, ku ndodhet edhe spitali Nasser dhe dy objekte më të vogla mjekësore, ndërsa vazhdon ofensivën tremujore kundër Hamasit.
Zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara tha se në atë zonë banonin 88,000 palestinezë dhe strehoheshin 425,000 të tjerë të zhvendosur nga luftimet gjetkë.
Organizata Mjekët pa Kufij tha se për shumë njerëz largimi nuk ishte alternativë. Organizata tha se stafi i saj ishte bllokuar brenda spitalit Nasser me rreth 850 pacientë dhe mijëra njerëz të zhvendosur, sepse rrugët përreth ishin të bllokuara ose shumë të rrezikshme.
Spitali Nasser është një prej dy spitaleve të vetme në Gazën jugore që ende mund të trajtojë pacientë të sëmurë rëndë, tha organizata Mjekët pa Kufij. Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha gjithashtu se objekti ishte i izoluar.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar ta vazhdojë ofensivën deri në “fitoren e plotë” kundër Hamasit, i cili shkaktoi luftën pas sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë 250 pengje.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj po luftonin me militantët brenda qytetit pasi e kishin rrethuar atë një ditë më parë. Avionët luftarakë kanë goditur objektiva dhe kanë vënë në shënjestër militantë të dyshuar në pjesën qendrore dhe veriore të Gazës, thanë zyrtarët ushtarakë.
Të martën, mijëra njerëz u larguan nga qyteti Khan Younis drejt qytetit Rafah. OKB-ja thotë se rreth 1.5 milionë njerëz, afro dy të tretat e popullsisë së Gazës, janë të grumbulluar në strehimore dhe kampe tendash në Rafah dhe përreth tij, në kufi me Egjiptin. Siguria për të zhvendosurit ka qenë e vogël pasi Izraeli kryen vazhdimisht sulme brenda dhe përreth qytetit.
Dëshmitarët palestinezë thanë se ditët e fundit ushtarët dhe tanket izraelite ishin futur në zonën ranore Muwasi përgjatë bregdetit që Izraeli e kishte shpallur zonë të sigurt, ku dhjetëra mijëra njerëz jetojnë në tenda pa shërbime bazë.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë rreth 1.7 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Gazës./VOA/