Paga mesatare e nëntorit është ulur për 1,4%, inflacioni “shkriu” rritjen e pagave

Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se paga mesatare neto në muajin nëntor ishte 38.359 denarë, që do të thotë se është më e ulët për 484 denarë në krahasim me mesataren e tetorit kur ishte 38.843 denarë.

Duke përfshirë inflacionin, Enti Shtetëror i Statistikave ka llogaritur se paga e muajit nëntor është ulur edhe me 1.4% krahasuar me atë të tetorit. Inflacioni “hëngri” një pjesë të rritjes nominale të pagave në nivel vjetor, pra me inflacionin e llogaritur ato u rritën me 12.7%, thonë statistikat. Kjo rritje ndjehet më shumë në Administratë publike dhe mbrojtje; sigurimet shoqërore të detyrueshme, furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe me ujë, largimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbetjeve, rehabilitimit të mjedisit.

“Për dallim nga rënia mujore prej 1.4%, në nivel vjetor ka pasur rritje të pagës mesatare prej 16.2% ose për 5,384 denarë, sepse në nëntor 2022 paga mesatare neto ishte 33,011 denarë. Rënie e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës, krahasuar me muajin paraardhës, është vërejtur në sektorët: Veprimtaritë që lidhen me pasuritë e paluajtshme (8,0%), Minierat dhe nxjerrjen e gurëve (5,9%), Aktivitetet financiare dhe veprimtaritë e sigurimit (4,6 %)”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Sa i përket pagave në sektorin publik dhe në atë privat, nga Ministria e Ekonomisë thonë se Qeveria në këtë mandat ka rritur pagat minimale për 68% dhe pagat mesatare për 62% në nivel vendi.

“Vitin e kaluar, rritja e pagave deri në tetor nuk ka mundur të ndjekin trendin e inflacionit, për shkak të disa elementeve të caktuara dhe të hyra në shtetin tonë, varësinë që kishim nga produkte të caktuara. Nga tetor deri në fund të janarit, rritja e pagave është më e madhe se rritja e inflacionit, duke krahasuar muajt e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo nënkupton që kemi arritur të ruajmë standardin e jetesës së shumicës së qytetarëve në shtetin tonë. Tani hyjmë në një fazë të re ku hap pas hapi do të rritet standardi jetesës të atyre që janë të punësuar në sektorin publik dhe në atë privat”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Ndërkohë Qeveria me propozim të Ministrisë së Financave miratoi vendimin që përcakton të drejtën në marrjen e shtesë së pagës për 30% të shumës së pagës bazë, për shkak të specifikës së punës, detyrave dhe rritja e volumit të punës për punonjësit, të cilët janë shfrytëzues buxhetor nga pushteti qendror, por pa përfshirë të zgjedhurit dhe të emëruarit, përkatësisht funksionarët që vjet kishin rritje prej 78%.