Sulmet dhe shpërthimet vazhdojnë ashpër në Rripin e Gazës. Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se rreth 25,000 palestinezë janë vrarë në konflikt dhe Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gaza, po vdesin urie. Në një bisedë telefonike mes presidentit të SHBA, Xho Bajden, dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu u arrit një marrëveshje se ndihma ushqimore do të hyjnë në Gaza nëpërmjet portit Ashdod në Izrael, por nuk u arrit një gjuhë e përbashkët për sovranitetin palestinez.
“Presidenti Bajden përshëndeti vendimin e qeverisë së Izraelit për të lejuar dërgimin e miellit për popullin palestinez direkt përmes portit Ashdod. Presidenti diskutoi gjithashtu vizionin e tij për një paqe dhe siguri më të qëndrueshme për Izraelin, plotësisht të integruar brenda rajonit dhe një zgjidhje dy shtetërore me sigurinë e Izraelit të garantuar. Nuk do të ndryshojë pikëpamjen e presidentit se zgjidhja më e mirë afatgjatë për sigurinë rajonale, veçanërisht siguria e popullit izraelit, është një shtet palestinez i lirë dhe i pavarur. Kryeministri Netanyahu i ka bërë të qarta shqetësimet e tij për këtë. Presidenti Bajden e ka bërë të qartë bindjen e tij të fortë se një zgjidhje dy shtetërore është ende rruga e duhur përpara”, John Kirby, zëdhënes i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Tani në muajin e katërt, lufta në Rripin e Gazës është kthyer në një nga fushatat ushtarake më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese në historinë e fundit duke rritur tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme. Grupe të lidhura me Iranin po kryejnë sulme të rregullta, sidomos Lëvizja Hezbollah, me bazë në Liban, kundër Izraelit. Sulmet e rebelëve Huthi të Jemenit në anijet komerciale në Detin e Kuq, si shenjë mbështetjeje për palestinezët në Gazë, kanë nxitur sulme hakmarrëse të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke rritur shqetësimet për përshkallëzim më të gjerë.