Ushtria izraelite ka vrarë 60 luftëtarë në Gaza

Forcat izraelite kanë vrarë rreth 60 luftëtarë palestinezë në Rripin e Gazës, ka njoftuar vetë ushtria e Izraelit në një deklaratë në lidhje me operacionet e 24 orëve të fundit.

Bëhet e ditur se, rreth 40 luftëtarë u vranë në zonën jugore të Khan Younis, ndërsa të tjerët në Rripin verior të Gazës, transmeton Telegrafi.

Ushtria izraelite pretendon se ka gjetur “granata, armë të tipit AK-47, pajisje tjera ushtarake dhe teknologjike” në Khan Younis.

Por, frika po rritet se spitali Nasser në jug të Gazës i cili ende funksionon pjesërisht, mund të detyrohet të mbyllet shkaku i sulmeve nga Izraeli.

Presidenti izraelit, Yitzhak Herzog, tha se po lutet që një marrëveshje e rregulluar nga Katari dhe Franca të arrijë tek pengjet e mbajtura nga Hamasi në enklavën palestineze.

“Ne po lutemi që i gjithë mjekimi të arrijë tek ata, por ky është vetëm fillimi”, tha Herzog në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.