Kovaçevski: Tani është momenti i interesave të përbashkëta, kur BE-ja ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për BE-në

Tani është momenti i interesave të përbashkëta, kur BE-ja ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për BE-në. Dhe kjo mundësi unike për të vazhduar në atë rrugë do të realizohet. Qytetarët dhe kompanitë tashmë po ndjejnë përfitimet e anëtarësimit në NATO, por ato do të shumëfishohen, me vazhdimin aktiv të integrimit evropian dhe anëtarësimit të plotë, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski në një panel diskutimi mbi “Përfitimet ekonomike të integrimit në BE për kompanitë dhe qytetarët në Maqedoninë e Veriut”.

Ai tha se qëllimi nuk është të bindim, sepse vullneti i shumicës për BE është i qartë, por të informojmë në mënyrë plotësuese se çfarë do të thotë me të vërtetë përcaktimi euroatlantik dhe anëtarësimi në BE. Sipas tij, dallimi midis kohës kur vendi ishte në izolim ndërkombëtar dhe sot, kur është anëtar i NATO-s, është i dukshëm dhe ndjek një rrugë të qartë të bisedimeve me BE-në.

“Siç e kam theksuar tashmë, kemi një numër rekord investimesh, vende të reja pune dhe një ulje rekord të papunësisë, paga më të larta, pensione, paga minimale më e lartë në histori, paga mesatare më e lartë në histori, tre herë më shumë ndihmë sociale si dhe ndihma më e madhe shtetërore në histori për kompanitë vendore si për ruajtjen e likuiditetit, ashtu edhe për investimet e reja në kompanitë…Bashkimi Evropian është ende donatori dhe partneri ynë kryesor tregtar me 77.5 për qind të eksporteve të vendit dhe 51 për qind të importeve të tij. Tregtia e Maqedonisë së Veriut me BE-në vitin e kaluar arriti në 60 për qind të tregtisë së përgjithshme. Gjithkush mund të shohë se çfarë do të thotë të kesh mbështetje evropiane në zhvillim dhe solidaritet dhe kur jemi në udhën e duhur”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se mbështetja e BE-së do të vazhdojë, me shumë më tepër mjete, përmes programeve dhe fondeve të reja, kur të bëhemi anëtarë të tij.

“Maqedonia e Veriut, përkundër të gjitha vështirësive, është një histori suksesi sot dhe ne e bëmë atë së bashku. Nga një shtet i kapur, ne jemi bërë një faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon siç shihet përmes parametrave ekonomikë. Tani edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për ne, sepse në këtë moment BE-ja duhet të sigurojë stabilitet në kontinentin evropian. Tani është momenti i interesave të përbashkëta, kur BE-ja ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për BE-në. Dhe kjo mundësi unike për të vazhduar në atë rrugë do të realizohet”, theksoi Kovaçevski.

Me miqësi dhe mbështetje të përtërirë strategjike dhe dyer të hapura si asnjëherë më parë, thekson ai, vendi është në rrugën drejt një të ardhmeje të sigurt dhe të qartë evropiane.