Ahmeti flet për koalicione parazgjedhore, bën thirrje që të mos krijohet koalicion me partitë pro-ruse

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në emisionin Top Story u ka bërë thirrje partive politike shqiptare që t’i bashkohen Frontit Europian.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Ahmeti thotë se mund të bëjë koalicion vetëm me partitë politike që kanë orientim properëndimor.
Ai tha se kanë vullnet për t’u bashkuar me partitë e tjera politike.

“Mund të bëjmë koalicion vetëm me ato forca që kanë orientim apo vendosmëri properëndimore. Të gjithë ata që i pranojnë ndryshimet kushtetuese. Përpjekjet e para i bëmë me Frontin Europian. Partitë politike shqiptare, ato që kanë vullnet të mirë, duhet t’i bashkohen këtij fronti. Fillimisht le të dërgojmë një mesazh që shqiptarët dinë të bashkohen në momente të rëndësishme”, deklaroi Ahmeti.

– A keni vullnet për t’u bashkuar me partitë e tjera shqiptare?

Ahmeti: Sigurisht, sigurisht që po!

Ahmeti u ka dërguar mesazh partive politike shqiptare që të mos bëjnë koalicion me partitë që nuk e mbështesin rrugën evropiane të vendit.

“Është shumë e rëndësishme që këto parti, veçanërisht partitë shqiptare, të na mbështesin, të mos shkojnë pas ndonjë partie maqedonase, e cila nuk ka një diskurs pro-europian, properëndimor apo të dyshimtë, aleanca të krijuara nga Rusia përmes satelitëve të saj në Ballkanin Perëndimor, si në Beograd”, thotë Ahmeti.

Ahmeti është i vendosur se nuk do të hyjnë në koalicion me një parti që do të sfidonte Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë dhe pavarësinë e Kosovës.