Viktima të reja nga bombardimet izraelite në Gaza

Sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë vazhdojnë ende. Sulmi i fundit ajror me raketa vrau të paktën 14 veta dhe plagosi dhjetëra të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë. Lufta përveç sulmeve të panumërta po ushqen gjithashtu një katastrofë humanitare në Rripin e Gazës.
Ndërkohë që sulmet vazhdojnë, në vizitën e tij në rajon, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken i bëri thirrje Izraelit të ndërmarrë hapa për të mbrojtur civilët dhe të lejojë më shumë ndihma humanitare në Gaza. Ai tha gjithashtu se SHBA-ja është e “qartë” se palestinezët duhet të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre sapo kushtet të lejojnë.

“Në mbledhjet e sotme unë isha i qartë. Civilët palestinezë duhet të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre, në Gaza sapo të lejojnë kushtet. Siç e theksova në mbledhjet tona sot, më shumë ushqim, ujë, më shumë ilaçe, mallra të tjera thelbësore duhet të hyjnë në Gaza dhe të dërgohen në mënyrë më efikase tek njerëzit që kanë nevojë për to. Dhe Izraeli duhet të bëjë gjithçka që mundet për të hequr çdo pengesë nga kalimet në pjesë të tjera të Gazës”, tha Antoni Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit.

Blinken u takua edhe me presidentin palestinez Mahmoud Abbas për të kërkuar reforma në qeverisje. Që kur filloi lufta, sulmi i Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 23,200 palestinezë dhe më shumë se 58,000 vetë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vdekurve janë gra dhe fëmijë.