Ekonomia e Maqedonisë së Veriut këtë vit pritet të ketë rritje ekonomike prej 2,5 për qind, ndërsa në vitin 2025 prej 2,9 për qind, parashikon Banka Botërore në raportin e janarit për perspektivat ekonomike globale.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rritje më të lartë këtë vit do të ketë Kosova 3,9 (4,0% në 2025), Shqipëria 3,2 (3,2% në 2025), Mali i Zi 3,2 (3,1% në 2025), Serbi 3,0 (3,8% në 2025), BeH 2,8 (3,4% në 2025), Kroacia 2,7 (3,0% në 2025) dhe Bullgaria 2,4 për qind (3,3% në 2025).
Banka Botërore në raport vlerëson se në vitin 2023 ekonomitë në Ballkanin Perëndimor ishin prekur nga kërkesa e jashtme e ulur, pasojat nga lufta në Ukrainë, inflacioni i rritur dhe nga çmimet e karburanteve dhe ushqimit. Ndikim shtesë, siç bëhet e ditur, ka edhe shtyrja e reformave në lidhje me anëtarësimin në BE.
Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike globale në vitin 2024 do të vazhdojë të ngadalësohet dhe do të jetë 2,4 për qind, që është më pak se 2,6 për qind në vitin 2023, 3,0 për qind në vitin 2022 dhe 6,2 në vitin 2021.
Pritet që Eurozona këtë vit të arrijë rritje prej 0,7 për qind, që është përmirësim modest në raport me 0,4 për qind të vitit të kaluar.
Ekonomia amerikane, në vitin 2024 do ta ngadalësojë rritjen prej 2,5 në 1,6 për qind, ndërsa ajo kineze prej 5,2 në 4,5 për qind.
Në parashikim bëhet e ditur edhe se shkalla globale e inflacionit do të bie nga 5,3 për qind të vitit të kaluar në 3,7 për qind në vitin 2024 dhe në 3,4 për qind në vitin 2025.