Perëndimi kërkon t’i japë fund shpejt luftës në Gazë

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në grupin e shtatë shteteve më të industrializuara (G7) janë duke kërkuar ta gjejë një mënyrë të shpejtë për t’i dhënë fund luftës në konfliktin e Rripit të Gazës, tha Italia të hënën, derisa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologët e tij nga Bashkimi Evropian po e vizitojnë rajonin.

Blinkeni mbajti takime për Gazën në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite të hënën, para se të nisej për Izrael, duke synuar t’i nisë përpjekjet për paqe konkrete, për të cilat thotë se janë të nevojshme për ta parandaluar një luftë më të gjerë.

Ai e nisi një vizitë pesëditore në Lindjen e Mesme të dielën në Jordani dhe në Katar. Kjo është vizita e tij e katërt në rajon prej sulmit të 7 tetorit, kur Izraeli u sulmua nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – i cili edhe e nxiti Izraelin ta fillojë luftën që nuk po tregon shenja përfundimi.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e vizitoi Izraelin të hënën, ndërsa kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, e vizitoi Libanin.

“Vendet e G7 po punojnë me Qeverinë e Izraelit për ta gjetur një mënyrë të shpejtë t’i dhënë fund fazës ushtarake”, tha ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, pasi Italia e nisi kryesimin njëvjeçar të G7.

Baerbock, ndërkohë, i tha Izraelit se e ka për detyrë t’i mbrojë palestinezët në Bregun e uzurpuar Perëndimor, pasi Blinkeni paralajmëroi për zgjerim të konfliktit të dielën në Doha.

“Ky është një konflikt i cili shumë lehtë mund të përhapet”, tha Blinken.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se vendi i tij është i përkushtuar t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gazë dhe t’i frenojë grupet e tjera të mundshme që mbështeten nga Irani, siç është Hezbollahu.

“Ne jemi duke luftuar me një strumbull, jo një armik të vetëm. Irani po e rrit fuqinë ushtarake përreth Izraelit në mënyrë që ta përdorë atë”, tha Gallant.

Të hënën në mëngjes, ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve në Al Moghani në qendër të Gazës të evakuohen nga disa rrethina, për të cilat tha se “janë zona të rrezikshme lufte”.

Gati të gjithë banorët e Gazës prej 2.3 milionë janë zhvendosur nga shtëpitë e veta në luftë së paku një herë, dhe shumë prej tyre po zhvendosen sërish, shpesh duke u strehuar në tenda.

Izraeli, ofensiva e të cilit gjithashtu ka shkaktuar mungesë ushqimi, uji dhe ilaçësh, i akuzon luftëtarët e Hamasit se me qëllim i përdorin civilët si mburojë njerëzore, akuzat të cilat ata i mohojnë.

Blinkeni tha se ai do t’u kërkojë zyrtarëve izraelitë të bëjnë më shumë për t’i mbrojtur civilët në Gazë dhe për t’i lejuar palestinezët të kthehet në shtëpitë e tyre.

Më shumë se 23.000 palestinezë janë vrarë në Gazë gjatë ofensivës izraelite, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se lufta nuk do të ndalet derisa Hamasi t’i kthejë më shumë se 100 pengjet që është duke i mbajtur ende, nga 240 që i rrëmbeu gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, ku i vrau po ashtu 1.200 njerëz.