Qeveria do të shkarkojë nesër drejtorët e M-NAV – Tasevski: Nëse s’ka shkarkime e mbyllim hapësirën ajrore

Qeveria nesër pritet të shkarkojë drejtorët dhe bordin drejtues të M-NAV, pas tensioneve dhe skandaleve të ditëve të fundit. Kreu i Sindikatës së të punësuarve në navigacionin e Maqedonisë, të nesërmen e quan dita “D”.

“Nesër është dita “D” për M-NAV, ose do të shkarkohen drejtoret ose kontrolli për fluturime do ta mbyllë hapësirën ajrore mbi Shkup. Shpresojmë se e gjithë kjo që ndodhi do të rezultojë me shkarkimin e drejtorëve në M-NAV. Në të kundërt do të tregojnë se edhe në Qeveri nuk kanë asgjë më të rëndësishme se kolltukët”, tha Aleksandar Tasevski, kryetar i Sindikatës së të punësuarve në M-NAV.

Nëse drejtorët nuk shkarkohen, kreu i sindikatës Tasevski në një prononcim për DW, thotë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveç mbylljes së qiellit mbi Shkupin nga e mërkura, më 10 janar. Kjo do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Drejtorët e përmendur nga sindikata nuk kishin dhënë vetë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Njoftimet për grevë vijnë pas zhvillimeve të fundit në navigacionin e Maqedonisë, të cilat u përshkallëzuan me sulmin ndaj institucionit më 4 janar, kur u sulmuan tre punonjës. Sulmi erdhi pasi sindikatat në një konferencë për media paralajmëruan se janë nën presion të shtuar nga drejtuesit e M-NAV për shkak të kundërshtimeve të sindikalistëve për shpalljen e fundit të punësimit. Në sulm i përshirë ishte funksionari i BDI-së Bekim Neziri, i cili prej vitesh është i punësuar në M-NAV, dhe shtatë personave të tjerë. Organet e hetuesisë kanë marrë masa kujdesi ndaj tyre deri në zbardhjen e rastit, kurse katër prej sulmuesve janë në arrati.
VMRO-DPMNE-ja thotë se gjyqësori i partizuar dhe institucionet e drejtuara nga kuadrot partiake të LSDM-së dhe BDI-së janë rrezik për qytetarët.

“Ushtria partiake me forcë pushtoi kullën kontrolluese, me shuplaka dhe grushte sulmoi të punësuarit e ndërrimit, përderi sa 40 avionë janë mbi qytet. Mundeni vetëm të paramendoni se si do të menaxhohej kjo situatë në Nju Jork, Berlin, Londër, kudo në botë. Në vend të kësaj, banditët e BDI-së dhe të nënshtruarit e LSDM-së sajojnë skenarë që sjellin absurde në sistemin e sigurisë dhe të drejtësisë. Sulmuesi kryesor, funksionar i BDI-së, nesër do të shkojë në punë ku janë personat e rrahur dhe ata të cilët me bandën e tij shkoi t’i rrahë para vetëm katër ditësh”, u shpreh Naum Stoillovski, VMRO-DPMNE.

Pakënaqësitë në M-NAV vazhdojnë prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës./Alsat.mk