Numri i personave të sëmurë nga gripi është në rritje në Maqedoni

Gjatë javës së 52-të të vitit 2023 (25.12-31.12.2023), në vend janë raportuar 403 raste të influencës apo sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 96,6% më shumë krahasuar me javën e kaluar, sipas Institutit të Shëndetit Publik. Numri i të regjistruarve krahasuar me javën e 52-të të sezonit të kaluar është rritur me 16,1%, dhe krahasuar me 13 sezonet e mëparshme është më i lartë për 79,0%.

Incidenca raportuar është nën kufirin javor të aktivitetit sezonal të virusit të gripit, pra ende nuk është arritur pragu i hyrjes në sezonin e gripit. Për sa i përket shpërndarjes së moshës, 151 persona janë të moshës 15-64 vjeç, 108 janë fëmijë 0-4 vjeç, 115 janë fëmijë 5-14 vjeç dhe 29 janë të moshës mbi 65 vjeç. Incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët e moshës 0-4 vjeç.

Gjatë kësaj jave është regjistruar një vdekje nga gripi. Bëhet fjalë për një person 67-vjeçar nga Shkupi i cili është shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup. Te personi i vdekur u konstatua prania e sëmundjeve shoqëruese (kardiovaskulare, obeziteti dhe sëmundje malinje) dhe ai nuk ishte vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

Në sezonin 2023/2024, numri i përgjithshëm i rasteve me sëmundje të ngjashme me gripin është 1293.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara është rritur me 39,0%, dhe krahasuar me modelin e 13 sezoneve të fundit, është regjistruar një rritje prej 20,0%.