Ukraina raporton për sulme të reja me raketa dhe dronë nga Rusia

Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia ka lëshuar 28 dronë dhe tri raketa lundruese. Si pasojë e sulmeve në qytetin Dnipro janë plagosur 12 persona.

Edhe pse në shkallë më të vogël sesa sulmet e fundit ajrore, sulmi është treguesi i fundit se Rusia nuk e ka ndërmend të ndalet së shënjestruari infrastrukturën civile ukrainase, që shpesh është larg vijave të frontit.

Gjatë dy javëve të fundit, Rusia ka gjuajtur pothuajse 300 raketa dhe ka kryer sulme me mbi 200 dronë në Ukrainë, si pjesë e përpjekjeve të saj për të terrorizuar popullatën civile dhe për të minuar moralin e tyre.

Më 29 dhjetor, mbi 120 raketa ruse u lëshuan në qytetet në mbarë Ukrainën, duke vrarë 44 persona, përfshirë 30 viktima vetëm në Kiev.