Janë arkëtuar 62 milion euro nga pikë pagesat rrugore në Maqedoni

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi, duke prezantuar rezultatet e punës së ndërmarrjes, tha se viti i kaluar është vit rekord për nga investimet, vit rekord i të hyrave nga arkëtimi, por edhe një vit historik, u nënshkrua një marrëveshje për brezat e ardhshëm dhe për të ardhmen e çdo qytetari dhe filloi një projekt për ndërtimin e 110 kilometrave autostradë me “Bechtel dhe Enka”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas Rustemit, këtë vit do ta mbyllim me të ardhura rekord prej 62 milionë eurosh. “Më konkretisht, këtë vit kemi një rritje 100 për qind të të hyrave nga pikë pagesat krahasuar me tre vite më parë. Për krahasim, në vitin 2020 janë realizuar të ardhura totale prej 34 milionë euro nga mjetet e grumbulluara në bazë të mjeteve të grumbulluara nga pikë pagesat, në vitin 2021 ishte mbi 46 milionë euro, në vitin 2022 shuma është tashmë mbi 53 milionë euro dhe këtë vit do ta përfundojmë me 62 milionë euro”, tha ai. Ky vit, siç kujtoi ai, filloi me modernizimin e pikave të pagesës në Korridorin 8, Gllumovë dhe Zhelinë, ku do të vendoset edhe faturimi elektronik.