Atletja shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Jumna Fetahu ka thyer rekord shtetëror në turneun ndërkombëtar të atletikës të zhvilluar në Beograd. Në disiplinën e hedhjes së gjyles në kategorinë e të rejave dhe të rinjve, Jumna Fetahu arriti të merr vendin e parë me rezultat 13.58 metra, që është rekord shtetëror për pioniere dhe juniore të reja, teksa rekordi i saj i vjetër ka qenë 12.67 metra.
Kështu shkupjanja theu rekordin për 91 cm, përderisa për të arritur të plotësojë normën për në Kampionatin Europian për të rinj që do të mbahet në vitin 2024 në Banjska Bistrica, Jumnës i nevojiten edhe 82 cm. Këtë normë atletja shqiptare pritet ta plotësojë në turneun e kampionëve të rinj që është nën organizimin e KA Partizan.
Këtë sukses dhe këtë arritje, Jumna Fetahu ia ka dedikuar babait të saj me një mesazh emocionues.
“Babi, ti atje, une këtu. Ti e theve kufirin, une rekordin. Aty ku dhemb më së shumti, aty ku atomin e fundit e jap për mëmëdhenë”, ka shkruar Jumna.
Kjo e fundit ka aluduar në Betejën e Koshares, e cila ishte zhvilluar në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, u ku babai i saj Sakip Fetai ishte pjesë e asaj beteje dhe fitore historike në vitin 1999.