Mungesa e fuqisë punëtore do të jetë njëra nga sfidat me të cilat do të ballafaqohet sektori i biznesit në Maqedoninë e Veriut, andaj Kompanitë në vend, fokusin kryesor do e kenë tek sigurimi i kuadrove. Durim Zeqiri, Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomisë të Maqedonisë Veriperëndimore, për KlanM, shton se masat e Qeverisë nuk kanë arritur rezultatin e dëshiruar në këtë drejtim.
“Kemi një paradoks i cili është shumë evident në tregun e punës, për sa i përket Maqedonisë së Veriut ku kërkesa për fuqi punëtore tek kompanitë është shumë e theksuar. Ndërkaq, Agjencia për punësim tregon se ka diku mbi 100 mijë kërkues të punës apo persona të cilët janë të papunë” – tha Durim Zeqiri, drejtor i OEMVP.
Zeqiri i bën thirrje Qeverisë që të ketë iniciativa permanente, jo vetëm masa me afat të shkurtër 3 ose 6 mujor.
Ai shton se gjatë vitit 2023, kompanitë kanë pasur lëkundje të dëmshme të shkaktuara nga e krizat e njëpasnjëshme të cilat e kanë goditur vendin tonë por edhe globin.
Sipas tij, sic njofton KlanM, statistikat zyrtare tregojnë se ka pasur rritje të eksportit dhe importit por për shkak të inflacionit sasitë kanë humbur vlerën e tyre.
Andaj, Oda i ka dhënë Qeverisë propozime konkrete të cilat do të ndihmojnë bizneset por edhe punonjësit.
“Njëri prej propozimeve të cilën ne si odë e kemi adresuar tek Qeveria është të ulen kontributet nga 54 në 32 përqind nga paga NETO. Për shkak se vlersojmë që ulja e këtyre kontributeve do të kontribojë pozitivisht tek paga NETO e punonjësve, me çfarë si rrjedhojë në bazë të analizave të cilat ne i kemi bërë, nëse ndodh kjo ulje e kontributeve BRUTO në 32% me automatizëm do të ketë mundësi pa pasur asnjë kosto shtesë financiare për kompanitë. Pra, me automatizëm do të mundet që paga minimale në Maqedoni të bëhet ne 30 mijë denarë” – tha Durim Zeqiri, drejtor i OEMVP.
Zeqiri për KlanM, thotë se shteti duhet tu japë më shumë përkrahje kompanive vendore që të prodhojnë dhe të eksportojnë dhe jo të merren me kompanitë e huaja të cilat një shumë të vogël e riinvestojnë në Maqedoninë e Veriut.