SHBA inkurajon Maqedoninë e Veriut të ndërmerr hapat e nevojshëm për të ardhme më të mirë të shtetit

SHBA inkurajon Qeverinë e Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrë të gjitha masat për të arritur të ardhmen më të mirë të mundshme për vendin, thanë për MIA nga Departamenti i Shtetit.

“Këtu përfshihen reformat në sektorin e drejtësisë, shëndetësisë dhe arsimit, të cilat do t’i hapin rrugën integrimit të plotë në BE”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
I pyetur nëse diplomacia amerikane ndihmon në tejkalimin e ngërçit me pamundësinë e votimit të amendamenteve kushtetuese si parakusht për përparim në negociatat para anëtarësimit me BE-në, zëdhënësi thotë se përgjigja për këtë duhet kërkuar në zgjedhjet e ardhshme.

“Shpresojmë që në zgjedhjet e ardhshme votuesit të kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi nga të zgjedhurit dhe të kërkojnë një vend më të fortë, më të mirë dhe më të begatë që e meritojnë”, tha zëdhënësi.
Ai përkujton se Sekretari i Shtetit Anthony Blinken dhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, gjatë vizitës së tyre të fundit në vend, treguan rrugën për Maqedoninë e Veriut.