Kovaçevski: I japim fund çështjes me personat fantom në vend, 526 persona kanë marrë certifikatë lindje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, sot ka mbajtur fjalim me rastin e ndarjes së certifikatave për qytetarët që kanë lindur në territorin e RMV-së, por nuk kanë qenë të regjistruar në evidencën amë dhe nuk kanë pasur certifikatë të lindjes.

Kovaçevski tha se me këtë i është dhënë fund një problemi tre dekadësh, për qytetarët që kanë lindur në vend, por që nuk kanë qenë të regjistruar në evidencën amë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Këta shtetasit tanë nuk kishin dokumente identifikimi, nuk mund të mjekoheshin, nuk mund të punësoheshin, nuk mund të lidhnin martesë, as të rregullonin statusin e fëmijëve të tyre, thjesht nuk ekzistonin në sistemin shtetëror. Këto probleme tashmë kanë kaluar”.

“Me ndryshimet në Ligjin për Gjendjen Civile zgjidhëm çështjet e jetës së shumë qytetarëve tanë. Me këtë rast, dëshiroj të përshëndes përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë për Mbajtjen e Regjistrave, veçanërisht për të theksuar rolin e deputeteve Sonja Mirakovska, Ljatifa Shikovska dhe Snezhana Kaleska – Vançeva, të cilat përgatitën ndryshime në Ligjin për regjistrat, me të cilat ka vazhduar në mënyrë sistematike të zgjidhet problemi i personave të pa regjistruar”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se ato ndryshime dhe shtesa ligjore hapën rrugën për zgjidhjen e rreth 526 fateve njerëzore, nga të cilët deri më tani në regjistrat e të lindurve janë regjistruar 409 persona, ndërsa 117 personat e mbetur do të regjistrohen deri në fund të vitit.

“Qeveria që unë drejtoj krijon politika me vlera evropiane, ne krijojmë zgjidhje sistematike që japin rezultate në planin afatgjatë. Këtyre qytetarëve tanë u kemi mundësuar që të ushtrojnë të drejtat e tyre jetësore dhe mbi të gjitha të drejtat e tyre për kujdes social dhe shëndetësor. Pas një dekade kemi bërë të mundur që ata të ushtrojnë të drejtën e tyre për të mbrojtur shëndetin përmes sigurimit shëndetësor, që fëmijët të ndjekin mësimet e rregullta dhe të marrin certifikatat e përfundimit të arsimit”, tha Kovaçevski.