“Akuzat e tilla janë vetëm arsye për të fshehur dështimin e Maqedonisë sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për këtë fajtore janë Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Kjo qeveri është lidere në krim, thelbi i të gjitha problemeve. Niveli i lartë i krimit dhe korrupsionit ekziston në krye të pushtetit, por ekziston edhe në të gjitha segmentet e tjera të shoqërisë. Praktikisht, nuk ka asnjë sektor në shtet në të cilin nuk ka korrupsion”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO DPMNE-së.
Nga kjo parti thanë se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por kërkon garanci nga BE-ja se nuk do të ketë kushte të reja.
Opozita maqedonase beson se pala bullgare gjatë gjithë procesit të bisedimeve me BE-në do të dalë me kërkesa që kanë të bëjnë edhe me mohimin e identitetit dhe të gjuhës maqedonase.
Maqedonia e Veriut, më 19 korrik 2023 hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE), por ato më tepër ishin politike pasi bisedimet për kapitujt kushtëzohen nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese.
Statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut e ka marrë në vitin 2006, por procesi i anëtarësimit është penguar nga kontestet e pazgjidhura me Greqinë dhe Bullgarinë./REL