OKB: Gjysma e popullsisë së Gazës, e uritur

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se gjysma e popullsisë së Gazës është e uritur dhe nëntë në dhjetë njerëz atje nuk mund të hanë çdo ditë. Mungesa e ushqimeve thellohet më shumë me intensifikimin e bombardimeve izraelite. Grupet e ndihmës të OKB-së thonë se Gaza përballet me një situatë humanitare “apokaliptike” dhe është në prag të pushtimit nga sëmundjet dhe uria. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres përsëriti apelin e tij për armëpushim në Gaza. Guterres tha se ekziston një rrezik i lartë i kolapsit total të sistemit të mbështetjes humanitare në Gaza.

“Sistemi shëndetësor është në prag të kolapsit. Situata po përkeqësohet me shpejtësi dhe mund të kalojë në një katastrofë me implikime të pakthyeshme për palestinezët në tërësi dhe për paqen dhe sigurinë në rajon. Unë i bëj thirrje Këshillit të Sigurimit të bëjë presion për të shmangur një katastrofë humanitare dhe përsëris apelin tim për shpalljen e një armëpushimi humanitar”, deklaroi Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i OKB-së.