Në seancën e 206-të, Qeveria shqyrtoi dhe përcaktoi tekstin e propozim ligjit për mbështetjen financiare të kategorive të rrezikuara sociale të qytetarëve, për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve dhe vendosi ta dërgojë në Kuvend me propozim të shqyrtohet dhe miratohet me procedure të shkurtuar.
Me zgjidhjen ligjore të propozuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, siç informojnë nga shërbimi për shtyp qeveritar, rregullohen shfrytëzuesit e mbështetjes financiare dhe vlera, mënyra e dhënies dhe pagesës së përkrahjes financiare për kategoritë e rrezikuara sociale të qytetarëve.
Përfitues të përkrahjes financiare të ofruar në përputhje me Projektligjin janë personat nga kategoria e rrezikuar sociale e qytetarëve, përkatësisht: shfrytëzuesit e shtesës së veçantë; shfrytëzuesit e së drejtës për kompensim për shkak të invaliditetit; prindër vetëushqyes, të cilët janë shfrytëzues të regjistruar të asistencës minimale të garantuar; shfrytëzuesit e së drejtës së pensionit deri në 19.000 denarë; nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm, familjet e të cilëve kanë të ardhura totale mujore prej pagave neto deri në 50.000 denarë dhe studentët që jetojnë jashtë vendit të studimit.
Përkrahja financiare për shfrytëzuesit e shtesës së veçantë, shfrytëzuesit e së drejtës për kompensim për shkak të aftësive të kufizuara dhe prindër vetëushqyes, të cilët janë shfrytëzues të regjistruar të ndihmës minimale të garantuar – është paraparë në shumën prej 2.000 denarë në muaj, për një periudhë prej pesë muajsh, duke filluar nga dhjetori 2023.
Mbështetja financiare për shfrytëzuesit e pensionit deri në 19.000 denarë, për një periudhë pesë mujore, po ashtu është paraparë të fillojë nga dhjetori 2023 dhe të arrijë në 3.000 denarë në muaj për përfituesit e pensionit të cilët kanë realizuar të ardhura në bazë të pensionit në nivel mujor që nuk kalon 14.000 denarë në muajin paraprak të muajit në të cilin paguhet përkrahja financiare. Nga 2.000 denarë në muaj për shfrytëzuesit e pensionit të cilët kanë realizuar të ardhura në bazë të pensionit mujor në shumë prej 14.001 denarë deri në 16.000 denarë në muajin paraprak të muajit në të cilin bëhet pagesa e përkrahjes financiare dhe 1.500 denarë në muaj për shfrytëzuesit e pensionit të cilët kanë realizuar të ardhura në bazë të pensionit mujor në shumë prej 16.001 denarë deri në 19.000 denarë në muajin paraprak të muajit në të cilin paguhet përkrahja financiare.
“Pagesa e mbështetjes financiare për: shfrytëzuesit e shtesës të veçantë; shfrytëzuesit e të drejtës për kompensim për shkak të invaliditetit; prindër vetëushqyes, të cilët janë të regjistruar si shfrytëzues të ndihmës minimale të garantuar dhe shfrytëzues të së drejtës për pension deri në 19.000 denarë, është paraparë të realizohet pa parashtruar kërkesë nga shfrytëzuesit, në bazë të të dhënave nga evidenca e Qendrave të Punës Sociale dhe Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor, për të drejtën e ushtruar në muajin paraardhës të muajit në të cilin bëhet pagesa e mbështetjes financiare”, informojnë nga Qeveria.
Data e pagesës së mbështetjes financiare, shtojnë ata, është paraparë të shpallet në ueb faqet e Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës jo më vonë se data 5 e muajit për muajin aktual.