Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori i vendit me BE-në, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani do të marrin pjesë në takimin dypalësh me Komisionin Evropian për “Kapitullin 31 – Politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë” nga Klasteri 6 me mbylljen e së cilës vendi përfundon procesin e skriningit me Unionin.
Skriningu përmbyllës për Klasterin 6 filloi dje me pjesën “Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme”, gjatë së cilës fjalimin mbajti kryeministri Dimitar Kovaçevski i cili tha se Maqedonia e Veriut ka shkallën më të lartë të hapjes tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nuk do të kërkojë periudha kalimtare, por në tërësi do ta pranojë ligjin e BE-së.
“Do të fokusohemi në përafrimin e politikave tona tregtare me Bashkimin Evropian në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe do të vazhdojmë të zbatojmë rregullat e BE-së për kontrollet e eksporteve me qëllim të dyfishtë, kredi të eksportit, investimet dhe instrumentet për mbrojtjen e tregtisë në kornizat tona kombëtare ligjore dhe institucionale”, theksoi Kovaçevski.
Kryeministri theksoi se tregtia e jashtme e vendit gjithnjë e më shumë po lidhet me Bashkimin Evropian i cili është partneri ynë më i madh tregtar me 60 për qind të totalit të tregtisë gjatë vitit të kaluar.
“Përveç kësaj, BE-ja është investitori më i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut dhe merr pjesë me 65 për qind nga numri i përgjithshëm i investimeve të huaja të drejtpërdrejta në fund të vitit 2022”, theksoi kryeministri Kovaçevski.
Kovaçevski në fjalimin e tij foli edhe për harmonizimin e rregullores juridike të Maqedonisë me legjislacionin e BE-së, duke theksuar se vendi tashmë ka bartur rregulloren e skemës për tregtinë ndërkombëtare të diamantit të papërpunuar, aktualisht është duke përgatitur dy projekt-ligje në fushën e parandalimit të dënimit me vdekje dhe torturës dhe kontrollit të eksportit të mallrave me përdorim të dyfishtë, si dhe një ligj për bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim dhe ndihmën humanitare jashtë vendit.
Me mbylljen e këtyre dy kapitujve përfundon zyrtarisht procesi i skriningut që filloi më 15 shtator të vitit të kaluar në kuadër të së cilës u zhvilluan takime shpjeguese dhe bilaterale për 33 kapitujt e pakos së negociatave, të cilët janë të ndarë në gjashtë grupe. Gjatë kësaj periudhe në Bruksel u mbajtën 850 prezantime, ku morën pjesë 206 institucione të ndryshme nga vendi dhe rreth 1000 pjesëmarrës.
Vlerësim për suksesin dhe zbatimin në kohë të procesit të skriningut është dhënë edhe nga Komisioni Evropian në Raportin vjetor për progresin e vendit në rrugën evropiane, duke konstatuar nivel solid të harmonizimit me legjislacionin evropian.
Përveç pjesëmarrjes në sesionin final të procesit të skriningut, zëvendëskryeministri Mariçiq do të ketë edhe takime pune me zëvendëskryetarin e Komisionit Evropian dhe komisarin evropian për promovimin e mënyrës së jetesës evropiane, Margaritis Shinas dhe drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për fqinjësi dhe negociata të zgjerimit (NEAR), Gert Jan Kopman.
Shefi i diplomacisë Osmani, nga ana tjetër do të marrë pjesë në “Samitin BE-Ballkani Perëndimor” organizuar nga organizata think-tank e Brukselit “Miqtë e Evropës”, në kuadër të të cilit do të mbajë fjalim në sesionin “Zgjerimi i BE-së: Domosdoshmëria e re gjeopolitike”. Në margjinat e forumit janë paraparë disa takime dypalëshe të Osmanit me kolegët e tij nga rajoni, si dhe me përfaqësues të lartë të BE-së.