Kërkesa për ekstradimin e Ljupço Palevskit nga Turqia, u nënshkrua nga Ministri i Drejtësisë. Sot pasdite, ministria përkatëse tha se pret që Ankaraja të përgjigjet pozitivisht, por para se të dërgohet kërkesa, ajo së pari do të duhet të përkthehet.
“Pasi të përkthehet në turqisht, do t’u dërgohet menjëherë autoriteteve turke, pra Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë. Ne presim bashkëpunim me autoritetet gjyqësore të Republikës së Turqisë, dhe veprimin e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur pas së cilës Lupço Palevski do të sillet para autoriteteve të drejtësisë në vendin tonë”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Prokuroria Themelore Publike, paraprakisht kishte përgatitur shprehimisht kërkesën për ekstradimin e Palevskit. Baza e dokumentacionit është urdhër arresti ndërkombëtar për të, për rrëmbim dhe dy vrasje makabre.
“Prokurori publik kërkoi nga autoritetet kompetente në Republikën e Turqisë, ekstradimin e personit për të cilin është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar, dhe nga INTERPOL Ankara morëm informacion se më 05.12.2023 ai u arrestua në Republikën e Turqisë. Përveç kërkesës, do të sigurohet dokumentacioni i plotë i kërkuar”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Pas përfundimit të procedurës në Turqi, do të nisin procedurat për marrjen e personit përmes Ministrive të Brendshme, do të thotë zyrave të Interpolit. Ministria e Drejtësisë informoi se kanë kërkuar nga autoritetet turke, që ta mbajnë të dyshuarin kryesor për dy vrasjet, Palevski, në paraburgim derisa të përfundojë procedura. Më herët, si ministri Spasovski ashtu edhe kryeministri Kovaçevski falënderuan Turqinë, për veprimin e shpejtë, bashkëpunimin dhe ndalimin e Palevskit. Serbia dhe Bullgaria u përfshinë gjithashtu në kërkimin përmes Interpolit. /Alsat.mk