Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim publikoi rezultatet e testimit të fundit ndërkombëtar PISA 2022. Prej 81 shteteve gjithsej, nxënësit e Maqedonisë së Veriut radhiten në vendin e 71-të për njohje të gjuhës dhe në vendin e 61 për njohjen e matematikës. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se këto rezultate janë si pasojë e pandemisë COVID 19, duke nënvizuar se është shënuar rënie e përgjithshme e nivelit të shkrim-leximit, matematikës dhe shkencave te nxënësit e moshës 15 vjeçare te pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse.
“Me një diferencë minimale, rezultatet për Maqedoninë e Veriut ruajnë nivelin që ishte në vitin 2018. Nga gjithsej 81 vende që ishin pjesë e testimit, me 389 pikë të fituara , vendi ynë është në vendin e 61-të sipas rezultateve të matematikës. Me 359 pikët e arritura në matjen e shkrim-leximit gjuhësor, lexim me kuptim jemi renditur në vendin e 71-të, ndërsa në shkencat natyrore nxënësit tanë shënuan 380 pikë, që e rendit vendin tonë në vendin e 68-të në Evropë”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Në testimin paraprak të PISA-s, që është zbatuar në vitin 2018, nxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë ishin listuar në vendin e 67-të nga gjithsej 77 shtete pjesëmarrëse në pjesën e leximit me kuptim dhe matematikë dhe në vendin e 63 në pjesën e shkencave natyrore. Maqedonia e Veriut ka marrë pjesë në testimin e PISA-s edhe në vitet 2000, 2015 dhe 2018.
Edhe vendet tjera të rajonit radhiten nga fundi i listës së shteteve pjesëmarrëse. Shqipëria rradhitet e 66-ta në pjesën e shkrim-leximit, ndërsa në matematikë dhe shkencë në vendin 71. Kosova mban vendin e 76 në lexim, vendin e77 në shkencë, ndërsa vendin e 74 në matematikë. Ndërsa Serbia radhitet e 40-ta në lexim e shkencë, ndërsa në pjesën e matematikës mban vendin e 42-të.
PISA është një nga testimet ndërkombëtare më kredibile dhe më të besueshme që mat shkrim-leximin, pra njohuritë e zbatueshme që i nevojiten nxënësit për të vazhduar arsimimin e tyre dhe për të pasur sukses në jetën e tij personale dhe profesionale. Detyrat në testet janë në lidhje me situata reale në të cilat mund të gjenden nxënësit dhe nëpërmjet përgjigjeve nuk matet riproduktiviteti por njohuria funksionale, e cila është e rëndësishme për lidhjen, kuptimin dhe zgjidhjen e problemeve. /Alsat.mk