Përfundon armëpushimi. Sulmet izraelite rinisën në Gazë. Sulmet ajrore goditën Gazën jugore, Kan Junis, kampin e Magazit në Rripin e Gazës. Përveç sulmeve ajrore, forcat izraelite të sigurisë hodhën gaz lotsjellës dhe granata në një nga autobusët me të burgosurit e liruar. Vetëm disa orë në ofensivë, numri i të vrarëve shkoi më shumë se 50 vetë dhe dhjetra të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Të plagosurit dhe viktimat u evakuuan në spitalet më të afërta në Al aksa dhe Naser.
Sipas Izraelit, Hamasi prishi marrëveshjen e armëpushimit dhe si pasojë e kësaj rifilluan sulmet. Nga ana tjetër, Hamas fajëson Izraelin dhe SHBA për ndërprerjen e armëpushimit.
“Ne fajësojmë dështimin në të dy palët, palët izraelite dhe amerikane. Ishte e qartë dje se pala izraelite dëshiron të kthehet në luftime pasi disa ide u paraqitën nga ndërmjetësit dhe ne pranuam tre prej tyre, dhe pavarësisht kësaj pala izraelite tha ‘jo, jo, jo’ çdo herë”, tha Osama Hamdan, zqdhenesi i Lartë i Hamasit.
Luftimet e ripërtërira erdhën një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit Antoni Blinken u takua me zyrtarët izraelitë dhe u kërkoi atyre të bënin më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë ndërsa kërkojnë të shkatërrojnë Hamasin.
Gjatë armëpushimit një javor, Hamasi liroi më shumë se 100 pengje në këmbim të rreth 240 palestinezëve, të burgosurve në Izrael. Ndërkohë Katari, si ndërmjetësues i armëpushimit, nëpërmjet një postimi në X, shpreh keqardhjen për rinisjen e agresionit izraelit kundër Gazës.