Muhamed Zekiri dënohet me dy vjet e gjashtë muaj burg për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”

Ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri, është dënuar me me dy vjet e gjashtë muaj burg, për veprën penale “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”.

Në leximin e aktgjykimin, gjykatësja tha se në këtë dënim do t’i llogaritet edhe periudha e kaluar në paraburgim, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Zekiri veprën e ka kryer kur me propozim të zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi, Qeveria ka konkluduar se është e nevojshme të kryhet procedurë për të bërë studim fizibiliteti në lidhje me Postat e Maqedonisë dhe Hekurudhë Transport, ndërsa i angazhuar rreth procedurës ka qenë Muhamed Zekiri në rolin e sekretarit të përgjithshëm.

Gjatë procesit gjyqësor, Prokuroria ka treguar se si Zekiri e ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

“Në vend që i akuzuari të kryente procedurën e prokurimit publik, ai ka lidhur kontratë direkt me personin juridik, shoqëri për menaxhment, shërbime konsulente dhe tregtie ‘Interholding duo’ e cila u themelua vetëm 12 ditë para miratimit të konkluzionit specifik të Qeverisë. Nga të gjitha dëshmitë shihet se që nga ekzistimi i subjektit juridik ka vetëm një bashkëpunim me Sekretariatin e Qeverisë, selia e personit juridik në datën 13 prill të vitit 2022 është gjetur e mbyllur e as nuk janë gjetur persona të punësuar. Nga kjo del se personi juridik është themeluar vetëm për qëllim të realizimit të kontratës së lidhur me Sekretariatin e Qeverisë”, theksoi prokurorja

Prokurorja i propozoi gjykatës që të zbatohet procedura për konfiskimin e pasurisë, por edhe të mjeteve të gjetura në kasafortën e bashkëshortes së të dyshuarit, me arsyetimin se ata paraqesin fonde të të pandehurit.

Mbrojtja theksoi se Prokuroria Publike nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar se i dyshuari me paramendim i ka kryer aktivitetet, ndërsa gjatë procedurës është dëshmuar se Muhamed Zeqiri procedurat i ka kryer ekskluzivisht me urdhër të Qeverisë, në bazë të vendimeve të miratuara të Qeverisë. Lidhur me propozimin e prokurorisë për konfiskimin e pasurisë së bashkëshortes së të dyshuarit, mbrojtja vlerësoi se do të ishte i kundërligjshme dhe çnjerëzore për shkak se i dyshuari ka paraqitur dëshmi me shkrim për origjinën e atyre pasurisë.

“Zeqiri ka dëshmuar me shkrim se nga kanë ardhur fondet e gruas së tij dhe se janë nga prindërit e saj dhe janë raportuar në mënyrë të rregullt, kërkesa e prokurorit për sekuestrimin e këtyre mjeteve është e kundërligjshme, por edhe çnjerëzore, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet dëshmitari”, theksoi Vladmir Andreevski. Zekiri u deklarua i pafajshëm dhe tha se ai vetëm po kryente aktivitete për të cilat ishte i ngarkuar me vendim të Qeverisë.