Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot pasdite në Shkup ka takuar Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken.
Në takim, Kovaçevski dhe Blinken edhe një herë theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe diskutuan për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Maqedonisë së Veriut në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e reformave të nevojshme.
Në takim, kryeministri Kovaçevski vlerësoi se të dy vendet në vazhdimësi po kultivojnë një dialog politik produktiv, i cili është thelluar dukshëm përmes partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.
Kovaçevski dhe Blinken shprehën kënaqësinë e ndërsjellë për fillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, i cili pritet të thellojë marrëdhëniet miqësore, të përmirësojë format reciproke politike, ekonomike dhe format e tjera të dialogut, lidhjet arsimore dhe kulturore të dy vendeve.
SHBA vlerëson lart kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si aleate e NATO-s, por edhe në kontekstin rajonal si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Sekretari i Shtetit tregoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë e Veriut në hapat e saj të ardhshëm, të cilët duhet të sigurojnë anëtarësimin në BE dhe shprehu respekt të madh për vendimet e guximshme dhe burrështetas që Qeveria po merr për të përmbushur këtë qëllim.
Sekretari i Shtetit përshëndeti kryesimin e suksesshëm të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut dhe qasjen e saj konstruktive në realizimin e agjendës dhe adresimin e sfidave me të cilat përballet Organizata.