Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë – Prizren

Zv. kryeministri i parë, Artan Grubi njofton se Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e së martës ka miratuar marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë-Prizeren, shkruan Telegrafi Maqedoni.

“Dua të ndaj me ju një lajm të bukur, në seancën e sotme të Qeverisë miratuam marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë – Prizren duke shënuar kështu zyrtarisht fillimin e procedurave për realizimin e këtij projekti madhor që do të jetë një shteg i ri cilësor komunikimi me Republikën e Kosovës”, shkruan Grubi në profilin e tij në Facebook.

Zv. ministri për Transport dhe Lidhje në RMV, Bekim Rexhepi gjithashtu thotë se me këtë marrëveshje konkretizohet edhe një investim tjetër kapital strategjik për vendin, investim i cili jep edhe një alternativë tjetër për zhvillimin e turizmit, rritjen e shkëmbimit tregtar në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. “Po e konkretizojmë edhe një investim tjetër kapital strategjik për vendin, investim i cili jep edhe një alternativë tjetër për zhvillimin e turizmit, rritjen e shkëmbimit tregtar në mes vendeve tona dhe që do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardit jetësor për të gjithë qytetarët”, shton Rexhepi.