Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka uruar 28 Nëntorin. Xhaferi në urimin e tij thotë se nëntori është muaji më i rëndësishëm në zhvillimin historik të shqiptarëve.
“Me krenari të veçantë, drejtoj në emër të deputetëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal urime të sinqerta ndaj gjithë bashkëqytetarëve të mi shqiptarë, për festën kombëtare shqiptare, 28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe Dita e Pavarësisë.
“Ajo që Ismail Qemali, diplomati i urtë, para saktë 111 viteve ia vuri themelet bashkë me delegatët e qyteteve të ndryshme shqiptare, kur e valoi flamurin kombëtar të shqiptarëve në Vlorë, u bë krenaria dhe simboli kombëtar i gjithë shqiptarëve, fija e cila na bashkon dhe e përbën fuqinë që e tejkalon çdo pengesë. Muaji Nëntor është muaji më i rëndësishëm në zhvillimin historik të shqiptarëve, qoftë nëse është fjala për zhvillimin dhe etablimin politik, kulturor dhe arsimor të popullit shqiptar, dhe është rast për ndjenjë kolektive të krenarisë dhe lumturisë”.
“Përkujtues për atë që kemi qenë, çfarë sfidash kemi tejkaluar dhe udhërrëfyes për përcaktimet për të cilat jemi determinuar ti arrijmë. Kjo pa dyshim është integrimi evropian dhe ky është qëllimi që na motivon të punojmë me përkushtim dhe pa lodhje edhe në nivelin shtetëror edhe në nivelin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Jemi bashkë në NATO, do të jemi bashkë edhe në Bashkimin Evropian, sepse atje, bashkë, me vlera dhe standarde të njëjta do të kontribuojmë për një botë më të mirë dhe më të sigurt për gjeneratat e ardhshme”.
“Jetojmë në kohëra sfiduese në çdo aspekt dhe shqiptarët, bashkë me të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë guri i konsolidimit të forcës së prosperitetit dhe ndërtimit të shoqërisë me vlera universale të drejtave dhe lirive të njeriut”, thotë Xhaferi në urim.