Ulja e pagave të funksionarëve nuk është prioritet për Qeverinë, shkruan Alsat.
Ndonëse ka mbetur edhe një muaj deri në fund të vitit, afat të cilin e dhanë vetë se do të hartojnë një kornizë për harmonizim të pagave të tyre, grupi i punës akoma nuk ka dorëzuar në Qeveri një propozim për ndryshimin dhe plotësimin e 7 ligjeve ekzistuese, me të cilat rregullohen pagat e ministrave, drejtorëve, deputetëve, gjykatësve, prokurorëve e të gjithë të zgjedhurve dhe të emëruarave, të cilët nga prilli marrin paga me 78% rritje.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, tha se ka grupe të ndryshme të interesit që kanë kundërthënie.
“Për pjesën e harmonizimit të pagave të funksionarëve, grupi punues ka disa ide, akoma janë në përpunim e sipër. Harmonizimi i 7 ligjeve për grupe të ndryshme të interesit nuk është model i lehtë. Por, unë them që grupi punues shumë shpejtë do të vijë me propozim në Qeveri, pastaj të tjerët vendosin nëse këto ligje do të sillen në afatin e caktuar. Mendoj se ligjet me interes të lartë shoqëror duhen të sillen sa më shpejtë pa asnjë pengesë në organin ligjvënës që është Kuvendi”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.
Në mesin e funksionarëve deputetët dhe gjykatësit janë më të zëshmit kundër uljes së pagave të tyre.
Ulja e pagave të funksionarëve nuk mjafton për të mbuluar rritjen e pagave në sektorin publik dhe ky, sipas zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi, është një premtim joreal dhe i gabuar i një pjese të opozitës.
Ai tha se po shfrytëzohen grupe të caktuara për të nxitur pakënaqësi në sektorin publik për protesta.
“Realisht, është krijuar një pasqyrë e gabuar, se ulja e pagave të funksionarëve nuk do të thotë rritje të pagave për të tjerët. Niveli i uljes eventuale të pagave të 1260 personave nuk është i mjaftueshëm për 135 mijë të punësuar në sektorin publik. Ajo mund të jetë një lojë që opozita e tanishme që duan ta bëjnë. Por, në fakt është një premtim i rrejshëm siç jemi mësuar edhe në të kaluarën ta shohim nga opozita aktuale kur ata ishin në pushtet”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.
Gjatë protestave të së premtes nga shumë të punësuar në sektorin publik, sindikalistët shprehen drojën që me intervenimet në ligjet aktuale nuk do të mundësohet as harmonizimi i pagave për vetë ata.
Protestuesit, gabimisht lidhin mos rritjen e pagave të tyre me mos uljen e pagave të funksionarëve.
Ajo që është e sigurt, në muajin mars rritje shtesë të pagave të 1,260 funksionarëve nuk do të ketë me intervenimet përkatëse në ligjet aktuale. Madje autoritetet thonë se rritje nuk do të ketë as në 2024./ Alsat.mk