Vazhdon edhe sivjet problemi me ndotjen e ajrit në Maqedoninë e Veriut

Dimër i ri me problemet e vjetra. Edhe këtë vit qytetarët e Maqedonisë së Veriut po ballafaqohen me ajrin e ndotur. Javën që lamë pas, Shkupi u gjet në mesin e 7 qyteteve më të ndotura në botë, ndërsa qytetarët kanë frikë për shëndetin e tyre dhe bëjnë thirrje që institucionet të marrin masa, shkruan Alsat.

“Ky problem përsëritet çdo vit, problem mbi probleme, domethënë është problemi më i madh për të gjithë ne, nuk ka ajër, është i ndotur, çdo vit ballafaqohemi me të njëjtin problem, çfarëdo që të bëjmë si individë nuk mund të bëjmë asgjë… Është për të ardhur keq për fëmijët e vegjël, për ne më të moshuarit, për secilin”, tha një qytetar.

“Shumë dobët, nuk janë duke marrë aspak masa, po e shihni se populli po heq shumë, të gjitha gjërat që i bëjnë, për popullin nuk mendojnë….Pak më tepër që u ndez zjarri në Tetovë, ajo është pak më e dëmshme për të moshuarit”, u shpreh një qytetar tjetër.

E pyetur se si ka mundësi që çdo vit bëhen apele, ndahen para për përballje me ndotjen, dhe përsëri çdo dimër përballemi me situatën e njëjtë, ministrja e mjedisit jetësor arsyetohet me mungesën e kohës. Ajo thotë se problemet me ndotjen nuk zgjidhjen brenda 1 apo 2 viteve.

“Çdo vit edhe do të vazhdojmë të bëjmë thirrje, unë në disa raste kam thënë, në asnjë metropol evropiane problemet me ndotjen nuk janë zgjidhur me një vit ose dy, ka shumë objekte publike akoma në shtet që kanë sistem joekologjik për ngrohje dhe aty intervenojmë, shteti mund të ndërhyjë në objektet publike në nivel shtetëror, ndihmojmë edhe për objektet në nivel lokal…”, tha Kaja Shukova, Ministre e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Më herët Shukova pati deklaruar se problemet nëpër stacionet matëse zgjidhen brenda dy ditësh, por e pyetur se përse stacioni matës te rektorati nuk punon muaj me radhë, tha se për momentin nuk ka pjesë rezervë. Sipas saj tani po bëhen gati për blerjet e reja të pjesëve reservë që do të jenë gati për punë në vitin 2024./Alsat/