Ligji për konfiskimin e pasurisë, rezultate të mira në luftën kundër korrupsionit

Ligji për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile ka qëllim që të konfiskojë të gjitha pasuritë dhe pronat për të cilat nuk mund të vërtetohet se janë fituar nga burime të ligjshme, si dhe parandalimin e krimit dhe korrupsionit. Zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska, thotë se për shkak të boshllëqeve ekzistuese në legjislacion, sjelljet korruptive dhe kriminale sanksionohen në mënyrë të pamjaftueshme, edhe në rastet kur krimi është i dukshëm dhe pasuria është në disproporcion me të ardhurat e fituara me ligj. Gërkovska thotë se ligji aktual për konfiskim nuk përputhet me ligjet ekzistuese.

“Kriminelët janë këmbëngulës në mashtrimin e ligjit dhe sistemit, ndërsa korrupsioni ka efekte shkatërruese në jetën tonë, në jetën e qytetarëve tanë të cilët me të drejtë janë të zhgënjyer nga efektet e dobëta. Nuk është justifikim për prokurorët në procedurë penale që të shmangin procedimin penal dhe konfiskimin në procedurë penale, përkundrazi, kjo është një mënyrë shtesë. Ky mekanizëm kërkon reagim të shpejtë nga shteti, që pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme të mos përdoret më tej.”, – deklaroi zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Nikolla Prokopenko, njofton se ky ligj është në paketë me një seri të ligjeve, që është duke u përgatitur në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas tij, mendimet e Komisionit Evropian do të jenë vendimtare në këtë proces.

“Qëllimi kryesor i këtyre standardeve është të arrihet gjithmonë, siç thekson Këshilli i Evropës në dokumentet e tij, një ekuilibër të caktuar nga njëra anë mes përballjes me krimin e organizuar, por nga ana tjetër, mbrojtje efektive të të drejtave të njeriut.”, – theksoi përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Nikolla Prokopenko.

“Praktikat ligjore në disa vende evropiane konfiskojnë dhe pronën e personave familjare nëse nuk arrijnë të arsyetojnë pasurinë. Ky ligj do të jetë i dobishëm për të gjithë dhe këtu duhet përfshihen të gjithë personat që kanë pasuri më të lartë se 50 mijë euro. Gjithashtu është me rëndësi që përfshihet edhe hetimi i pasurisë në mungesë të personit dhe të mos ketë devijime dhe ligji të jetë i barabartë për të gjithë.”, – theksoi një përfaqësuese e BE-së.

Hartimi i projektligjit për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile filloi me hartimin e një teksti të bazuar në studimin e fizibilitetit dhe analizën e situatave dhe modeleve të konfiskimit në sistemet moderne juridike. Mbi këtë bazë, grupi formal i punës përgatiti projektligjin, i cili sot është objekt i diskutimit publik. Përgatitja e zgjidhjes së re ligjore tashmë është pjesë e udhërrëfyesit – sundimi i ligjit, nga klasteri i 1-rë dhe për këto aktivitete ka afate, zbatimi i të cilave monitorohet nga Komisioni Evropian.