Izraeli dhe Hamasi pajtohen për një ndërprerje katërditore të luftimeve

Izraeli dhe Hamasi pajtohen për një ndërprerje katërditore të luftimeve. Në këtë periudhë kohore pritet të lirohen 50 pengje që po mbahen në Gazë, në shkëmbim të lirimit të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael. Marrëveshja parasheh edhe hyrjen e ndihmave humanitare në territorin e rrethuar.

Një komunikatë e lëshuar nga zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se 50 gra dhe fëmijë do të lirohen brenda një periudhe katërditore, gjatë së cilës do të ketë ndërprerje të luftimeve. Për çdo 10 pengje shtesë të liruara, armëpushimi do të zgjatet për një ditë shtesë, ka njoftuar zyra e Netanyahut, pa përmendur lirimin e të burgosurve palestinezë në shkëmbim.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur. “Marrëveshja e sotme duhet të kthejë një shtëpi pengje shtesë amerikane, dhe unë nuk do të ndalem derisa të lirohen të gjithë”, ka deklaruar ai, përmes një komunikate.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nga Shkupi përshëndeti arritjen e marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. Ai ka thënë se marrëveshja “do të çojë edhe në mbërritjen e ndihmave humanitare në zonat e prekura”.

Hamasi ka thënë në komunikatën e tij se, “përderisa po shpallim arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, konfirmojmë se luftëtarët tanë mbeten të gatshëm, dhe luftëtarët tanë fitimtarë do të vazhdojnë të angazhohen për mbrojtjen e popullit tonë dhe për mposhtjen e okupatorëve”.

Tre amerikanë, përfshirë një vajzë trivjeçare, prindërit e së cilës ishin mes të vrarëve gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi, pritet të jenë ndër pengjet që do të lirohen, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan. Përveç qytetarëve izraelitë, mbi gjysma e pengjeve kanë nënshtetësi të dyfishtë nga mbi 40 shtete, përfshirë SHBA-në, Tajlandën, Britaninë, Francën, Argjentinën, Gjermaninë, Kilin, Spanjën dhe Portugalinë, ka thënë qeveria izraelite.

Sipas mediave izraelite, lirimi i parë i pengjeve pritet të bëhet të enjten. Zbatimi i marrëveshjes duhet të presë 24 orë për t’i dhënë qytetarëve izraelitë rastin t’i kërkojnë Gjykatës Supreme ta ndalojë lirimin e të burgosurve palestinezë, raportuan ato. /Alsat.mk