Kovaçevski pret Stoltenberg: Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë siguri

Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është pritur sot pasdite para Qeverisë nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Jam i nderuar që sot pres vizitën e parë zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Vizita e sotme është konfirmim i rolit që ka Maqedonia e Veriut si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë siguri, siguri dhe prosperitet për vendin tonë”, shkruan Kovaçevski në Facebook

Pas ceremonisë, i ftuari i lartë i NATO-s dhe kryeministri do të kenë një takim, pas së cilës është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp.

Pas konferencës për shtyp, Stoltenberg do t’i drejtohet Kuvendit, ku në orën 17:20 është parashikuar t’i drejtohet deputetëve në sallën “Kupola e Madhe”.

Më vonë, Stoltenberg pritet të takohet me presidentin Stevo Pendarovski në vilën “Vodno”.

Kjo është vizita e dytë e Stoltenberg pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në qershor 2018.