BOTOHET “JETË A VDEKJE PËRQAFUAR”, LIBRI MË I RI I AGIM VINCËS

Në botim të shtëpisë botuese “Olymp” nga Prishtina, këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i prof. Agim Vincës “Jetë a vdekje përqafuar. Ese & eulogji me një rragatë në fund”. Ky libër përfshin shkrimet kritike dhe eseistike të viteve të fundit të këtij autori. Një kapitull i këtij libri përmban edhe shkrime polemike për çështje të rëndësishme kulturore dhe letrare. Libri ka gjithsej 356 faqe.

Fjala e redaktorit Ag Apolloni

Kur lexuesi merr në dorë një libër të ri të profesorit, studiuesit dhe shkrimtarit Agim Vinca, për një gjë është i sigurt: ai libër thotë diçka. Ndryshe nga shumë autorë që shkruajnë edhe kur s’kanë çfarë të thonë, Vinca shkruan vetëm kur idetë, emocionet dhe fjalët s’mund t’i heshtë. 

Prandaj, edhe ky libër duhet parë si një reagim i tillë. Këtu flitet për vepra e vdekje që të prekin, për marrëzi që na ndjekin, për letërsinë dhe gjuhën, për paqen dhe luftën.

I shkruar me një gjuhë tërheqëse, ky libër të shëtit nëpër vepra e vende të ndryshme. Bota e kësaj vepre është e mbushur me dashuri, dhimbje, respekt, pikëllim, dëshpërim, nderim dhe qortim. 

Autori nderon punën, vlerat dhe artistët, ndërsa qorton përçarësit dhe pseudoartistët. Kështu, ky libër shtrihet nga diskursi eulogjik deri tek ai polemik. Këtu mblidhen të ndryshmet dhe të kundërtat në një vend, për t’u kujtuar më gjatë, duke shpalosur kështu bindjen e autorit se as e mira, as e keqja s’duhet të harrohen. 

E mira jepet si një model që duhet ndjekur, ndërsa e keqja si një defekt që duhet ndrequr.

Me këtë libër përkujtues dhe reflektues, Agim Vinca ka bërë një regjistrim dhe interpretim fenomenesh publike dhe private, nëpërmjet një ligjërimi personal, që herë thekson të bukurën, herë të dobishmen.

Fjala e recensentit Begzad Baliu

Ata që e kanë njohur angazhimin intelektual të Profesor Agim Vincës në fund të viteve ’60; ata që e kanë njohur angazhimin e tij kombëtar për studimin dhe botimin e letërsisë si tërësi integrale në vitet ’70; ata që i kanë dëgjuar diskutimet e tij dhe i kanë lexuar dhe njohur polemikat në shtypin jugosllav në mbrojtje të letërsisë, kulturës dhe çështjes shqiptare në Jugosllavi; ata që e kanë dëgjuar dhe ia kanë lexuar artikujt dhe veprat polemizuese të tij, pas rënies së komunizmit në Shqipëri e deri më sot, pasi ta lexojnë këtë vepër, sigurisht do të thonë:

Ishte lehtë të ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ta ndërtoje bazamentin e monumentit të lirisë e pavarësisë së atdheut; ishte lehtë të ishe politikan i rreshtuar, që del në zgjedhje në flakët e luftës dhe i dhuron një votë presidentit historik të Republikës së Askundit. Vetëm intelektual, intelektual dhe eulogjist ishte vështirë të ishe dhe t’i shkruaje poezi përflakjes së Prekazit; ta mbroje publikisht të drejtën e bashkimit kombëtar; t’i thoshe lamtumirë patriotit revolucionar në Tiranë, mbi mortin e të cilit neokomunistët e demokracisë, shtinin me gisht: komunist, komunist, komunist!

I tillë ishte me veprën e tij intelektuali, shkrimtari, studiuesi e Profesori Agim Vinca. I tillë ishte me veprën mendore dhe jetësore, i tillë shfaqet edhe me këtë vepër: lirik, fjalëzgjedhur, i pakompromis!

ObserverKult