Besimi: Në Buxhetin e vitit 2024 janë planifikuar paga dhe pensione më të larta, me përjashtim të pagave të fuksionarëve

Besimi: Në Buxhetin e vitit 2024 janë planifikuar paga dhe pensione më të larta, me përjashtim të pagave të fuksionarëve

Në Propozimin e Buxhetit për vitin 2024 parashikohen mjete për paga më të larta për të punësuarit e administratës publike, për pensione më të larta në përputhje me zgjidhjen sistemore, por nuk do të ketë paga më të larta për funksionarët. Kështu theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në intervistën për Ditarin Qendror të RTM-së.

“Ashtu siç parashikohet në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të nënshkruar, me të cilën nga shtatori i këtij viti të gjithë të punësuarëve në sektorin publik u janë rritur pagat për 10%, me ç’ rast janë siguruar mjetet në Propozimin e Buxhetit për vitin 2024. Gjithashtu u realizua pagesa e K-15, e cila këtë vit është në vlerë prej 10.000 denarëve, ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë në vlerë prej 30% të pagës mesatare neto. Ajo që nuk është planifikuar në propozimin e buxhetit janë mjetet për rritjen e pagave të funksionarëve”, theksoi ministri Besimi, i cili tha se për pagesën e pagave të rritura janë siguruar 160 milionë euro shtesë.

Ai shtoi se, në kushtet e inflacionit, ajo që kishte rëndësi ishte ruajtja e nivelit të pagave dhe mbrojtja e standardit të qytetarëve dhe tashmë që nga muaji prill ka rritje reale të pagave, sepse kemi rritje pagash, ndërsa inflacioni është njëshifror.

Gjithashtu, theksoi se më shumë mjete janë siguruar edhe për pagesën e pensioneve në pajtim me zgjidhjet ligjiore.

“Sa i përket pensioneve, vendosëm zgjidhje sistematike me të cilën garantohet rritja e pensioneve. Pensionistët edhe në vitin 2024 do të përfitojnë në bazë të ligjit, përkatësisht harmonizim të pensioneve sipas rritjes së rrogës mesatare dhe rritjes së kostove të jetesës, përkatësisht inflacioni” shtoi ministri i Financave, Besimi. Gjithahstu, ministri foli për Programin e përkujdesit dhe likuiditetit të FMN-së, i cili ka pasur ndikim pozitiv mbi rejtingun kreditor të vendit. Deri më tani janë shfrytëzuar 100 milionë euro, ndërsa në proces aprovimi është transheja e re në vlerë prej 160 milionë eurove. Siç theksoi ministri Besimi, këto janë mjete me të cilat mundësohet financimi me kosto më të ulët dhe kursim prej 30 milionë eurove në nivel vjetor, vetëm në bazë të interesit.