Renditja më e re e UEFA-s, Struga Trim Lum me lëvizje rekord prej 90 vendeve

Struga Trim Lum po përfundon vitin më të suksesshëm në histori, ndërsa kjo gjë konfirmohet edhe përmes renditjes më të fundit të UEFA-s në rang klubesh. Suksesi i jashtëzakonshëm i këtij edicioni në arenën europiane, bëri që skuadra jonë të bëjë një lëvizje pozitive prej plotë 90 vendesh, për dallim nga viti i kaluar, kur renditeshim në pozitën e 417-të.

Kështu viti 2023 do të na gjejë në pozitën e 327-të, duke u bërë forca e tretë prej klubeve nga Maqedonia në arenën europiane.

Është pa dyshim ky një sukses i jashtëzakonshëm i skuadrës tonë, që këtë vit luajti vetëm për herë të dytë në garat europiane, pas atyre në sezonin 2021/22.

Atë kohë kishim debutuar në Ligën e Konferencës, duke u eliminuar që në raundin e parë nga letonezët e FK Liepaja, ndërsa këtë vit për herë të parë në histori debutuam edhe në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Pavarësisht lojës së mirë që shfaqëm në të dyja takimet, në fund u eliminuam nga lituanezët e Zhalgiris me rezultatin e përgjithshëm 2:1, mirëpo vazhduam në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, aty ku arritëm deri në ndeshjet e “play-off”, ku u eliminuam nga islandezët e Breidablik.

3 fitore, 1 barazim dhe 4 disfata në 8 ndeshje europiane të këtij viti, na mundësuan që të grumbullojmë tashmë 3.500 pikë, derisa në krye të saj qëndrojnë kampionët e Anglisë, Mançester Siti.