Ministri i Mbrojtjes i Iranit paralajmëroi të dielën se SHBA-ja do të “goditet fort” nëse nuk zbaton një armëpushim në Gaza, raportoi media shtetërore.
“Këshilla jonë për amerikanët është që të ndalojnë menjëherë luftën dhe të zbatojnë një armëpushim, përndryshe do të goditeni rëndë”, citoi agjencia e lajmeve Tasnim të ketë thënë Mohammad-Reza Ashtiani, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, pas një sulmi të papritur të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, izraelitët kanë kërkuar të mposhtin grupin militant.
Irani, një burim kyç i mbështetjes financiare dhe ushtarake për Hamasin, i konsideron SHBA-të si “të përfshira ushtarakisht” në konflikt. Dhe deklarata e zyrtarit të lartë iranian vjen në kohën kur Komanda Qendrore e SHBA-së ka thënë se një nëndetëse raketore bërthamore mbërriti dje në Lindjen e Mesme.
Lëvizja e pazakontë për të shpallur publikisht pozicionin e një nëndetëseje bërthamore është parë nga disa komentues si një mesazh për Iranin.
Ndryshe, forcat ajrore të Izraelit kanë thënë se kanë goditur 450 objektiva brenda Gazës – vetëm gjatë ditës së fundit – duke vrarë një komandant të lartë të Hamasit.
Forcat detare thuhet se sulmuan gjithashtu selitë, pozicionet e lëshimit të raketave antitank dhe pika të tjera vëzhgimi që Izraeli pretendon se i përkisnin Hamasit.