Kur ishte çështja për rritjen e pagave të funksionarëve në masën 78%, mjaftoi një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Kurse tani që zyrtarët janë vënë në presion të opinionit publik, për t’i ulur pagat thonë se duhet të ndryshohen hiç më pak se 7 ligje. Grupi i punës akoma nuk ka dorëzuar draft-ligjet e reja në Qeveri. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, tha se në disa ligje aktuale qe rregullojnë pagat e funksionarëve duhet të bëhen ndryshime dhe plotësime, por duhet të krijohet edhe një ligj i ri.
“Po punohet, kuptuam që nuk mundet me një ligj të ndryshohen të gjitha 1,260 paga të funksionarëve andaj duhet që të bëhen ndryshime në 7 ligje. Për shembull ndryshimi vetëm në një ligj do të thoshte shkelja e disa të drejtave nga një ligj tjetër që do të ishte antikushtetuese. Grupi i punës këtë e shqyrton që nga java kaluar, duam zgjidhje sistematike të përhershme, që do të shfuqizonte metodologjinë aktuale të përcaktimit të pagave dhe mendoj se shumë shpejtë grupi i punës do të dorëzoj propozimin në qeveri”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.
Parashikimet janë që brenda këtij viti projektligjet të procedohen dhe të miratohen në Kuvend me flamur Evropian në mënyrë që nga janari mos të vlejë metodologjia aktuale që do tu rriste pagat funksionarëve edhe nga 300-500 euro, duke marrë për bazë pagën mesatare të këtij viti e cila gjithashtu u rrit goxha. Deri në fund të dhjetorit për 9 muaj, rreth 12 milion euro shtesë do tu kushtojnë taksapaguesve vetëm nga rritja e pagave prej 78%. Pagat e funksionarëve u rritën në mënyrë drastike që nga prilli, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizoj një nen më 21 mars. /Alsat.mk