OBSH: Mijëra njerëz në Gaza kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore

Organizata Botërore e Shëndetësisë mirëpriti evakuimet e para të personave të plagosur nga Gaza por theksoi se mijëra civilë të lënduar dhe me sëmundje kronike kanë nevojë gjithashtu për trajtim.

Më shumë se 1 mijë pacientë kanë nevojë për dializë të veshkave për të qëndruar gjallë, 2 mijë janë në terapi kundër kancerit, 45 mijë kanë sëmundje kardiovaskulare dhe më shumë se 60 mijë kanë diabet.

“Këta pacientë duhet të jenë në gjendje të kenë akses të qëndrueshëm në kujdesin shëndetësor brenda Gazës. Spitalet dhe objektet e tjera shëndetësore duhet të mbrohen nga bombardimet dhe përdorimi ushtarak“, tha agjencia shëndetësore e OKB-së.

Ministria e shëndetësisë në Gaza thotë se rreth 8,800 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i luftës me Izraelin. Numri i të vdekurve përfshin më shumë se 3,600 fëmijë, ndërsa më shumë se 22,000 njerëz janë plagosur.