Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që udhëhiqet nga grupi militant palestinez, Hamas, tha se gjatë ditës së kaluar janë vrarë 304 persona, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave që nga nisja e luftës me Izraelin të arrijë në 8.306. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Ashraf al-Qudra, tha se numri i të plagosurve që nga nisja e konfliktit ka arritur në 21.048. Ai tha se në mesin e të vrarëve janë 3.457 fëmijë dhe 2.136 gra, duke shtuar se afër 1.950 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja të ndërtesave. OKB-ja dhe personeli mjekësor paralajmëruan se sulmet ajrore po godasin më pranë spitaleve ku dhjetëra mijëra palestinezë kanë kërkuar strehim. Rreth 117,000 njerëz të zhvendosur po qëndrojnë në spitalet në veri të Gazës, krahas mijëra pacientëve dhe stafit, duke shpresuar se do të jenë të sigurt, sipas shifrave të OKB-së.