Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova mesazhe urimi për 100-vjetorin e Republikës së Türkiye-s

Zyrtarët e lartë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Türkiye-s i kanë dërguar mesazhe urimi presidentit turk Erdoğan
Zyrtarët e lartë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Türkiye-s i kanë dërguar mesazhe urimi presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me rastin e 100-vjetorit të Republikës së Türkiye-s i dërgoi mesazh urimi presidentit turk Erdoğan.

“Urime të përzemërta për Recep Tayyip Erdoğan me rastin e Ditës së Republikës me urime për prosperitet dhe mirëqenie të Republikës së Türkiye-s dhe popullit turk. Jam i bindur se lidhjet e miqësisë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit do të vazhdojnë të forcohen dhe zhvillohen në të ardhmen. Türkiye është partneri ynë strategjik afatgjatë me të cilin ndajmë pikëpamje të përbashkëta për shumë çështje me interes dypalësh dhe më të gjerë”, shkroi Pendarovski në llogarinë e tij në rrjetin social X.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka dërguar presidentit turk Erdoğan, një telegram urimi me rastin e 100-vjetorit të Ditës së Shpalljes së Republikës së Türkiyes. Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se presidenti Begaj thekson se Republika e Shqipërisë dhe populli shqiptar çmojnë kontributin personal të presidentit Erdoğan dhe të Republikës së Türkiye-s për mbështetjen e vyer e të vazhdueshme.

“Në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj vlerësoj me shumë kënaqësi, se marrëdhëniet e partneritetit strategjik midis dy vendeve tona kanë hyrë në një fazë të re e shumë dinamike, jo vetëm në dimensionin e dialogut politik, por edhe në çdo fushë të bashkëpunimit dypalësh”, shprehet presidenti Begaj.

Sipas njoftimit, Begaj shprehet besimplotë mbi të ardhmen e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve të cilët gjithashtu shënojnë sivjet 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, “shprehje kjo e angazhimit tё përbashkët qё nё krye tё herës”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në llogarinë e saj sociale X uroi presidentin Erdoğan me rastin e 100-vjetorit të Republikës së Türkiye-s. “Me rastin e 100-vjetorit të Republikës së Türkiye-s uroj përzemërsisht z. Recep Tayyip Erdoğan dhe popullin turk. Miqësia e rrënjosur thellë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Türkiye-s, tregojnë një të ardhme të ndritur. Shumë shekuj dhe miqësi të fortë”, shkroi presidentja Osmani.

Festa kombëtare Dita e Republikës në Türkiye shënohet më 29 tetor për të përkujtuar shpalljen e Republikës së Türkiyes në vitin 1923. Një nga festat më të mëdha kombëtare shënohet me një sërë aktivitetesh në të gjithë vendin, përfshirë vendosjen e kurorave në Anitkabir, mauzoleumin e Ataturkut.